Era Istrefi është ende pjesë e “Sony Music” dhe “Ultra Music”. Përfaqësuesit e saj kanë përgënjeshtuar lajmin se kontrata e bujshme me dy gjigandët muzikorë ka përfunduar.

Ditën e djeshme këngëtarja u vendos në qendër të mediave dhe shkak u bë një status në Twitter ku vet shefja e distribuimit muzikor të “Ultra Publishing International”, Sony Okon, i shkruante një fansi të këngëtares se ajo nuk është më pjesë e tyre.

I kontaktuar nga “Telegrafi”, menaxheri aktual i këngëtares (emri i të cilit nuk përmendet) është shprehur se nuk është e vërtetë shkëputja e kontratës. “Duhet të jetë 100% një keqkuptim. Era vazhdon të ketë kontratë valide [të vlefshme] me kompaninë Ultra Music,” tha ai. Ndërkohë vetë këngëtarja nuk ka bërë asnjë reagim.
Ditën e djeshme ajo paralajmëroi se së shpejti do sjellë një projekt të ri. Megjithatë, shpeshherë artistja ka njoftuar në rrjetet sociale se do publikojë këngë të reja por prej dy vitesh nuk ka lançuar asnjë projekt.


