29 Nëntor, 2018

Elvana Gjata letër Prokurorisë: Pse nuk jam në Shqipëri, e mora vesh …


ETLEVA DELIA/ Këngëtarja Elvana Gjata ka komunikuar me grupin hetimor përmes një letre drejtuar Prokurorisë së Tiranës, duke shpjeguar arsyet se përse nuk ndodhet në Shqipëri dhe se do të paraqitet shumë shpejt për të dhënë dëshminë e saj. 

Burime nga organi i akuzës thanë se letra, që mban kode postare të shtetit gjerman, ka mbërritur në Prokurori rreth 3 javë më parë, kohë që përkon me shuarjen e kërkimit policor, pasi kishte përfunduar afatin 30-ditor që parashikon ligji.

Në letër, Elvana Gjata shprehej se ndodhej jashtë Shqipërisë për arsye shëndetësore, por do të kthehej për të dëshmuar. Ndërsa kishte sqaruar se e ka mësuar nga mediat faktin që kërkohej dëshmia e saj në lidhje me ngjarjen, edhe pse ajo thekson se nuk ndodhej në lokal në momentin kur ka ndodhur, por as më përpara.

ELVANA

Këngëtarja Elvana Gjata ishte shpallur në kërkim policor për vrasjen e ndodhur më 4 tetor te ishBlloku, ku u përfshi edhe i dashuri i saj, Ervin Mata, që po ashtu është i kërkuar për ngjarjen. Por kjo masë policore kishte efekt 30-ditor, siç parashikohet në procedurat standarde dhe është shuar që prej datës 5 nëntor, kur u bë një muaj nga momenti i shpalljes në kërkim. Megjithatë, dëshmia e saj vijon të konsiderohet me rëndësi për hetimin e për këtë arsye, në momentin e parë që këngëtarja do të futet në territorin shqiptar, kërkohet shoqërimi i saj për të dhënë deklarime për ngjarjen.

LARGIMI NGA SHQIPERIA

Nga të dhënat e deritanishme, pas verifikimit të sistemit Tims, rezulton se këngëtarja 31-vjeçare është larguar nga Shqipëria vetëm pak orë pasi ndodhi krimi, pa dhënë më parë shpjegime në Polici. Kjo është edhe arsyeja pse u bë shpallja në kërkim policor, pasi dëshmia e Elvana Gjatës ishte e rëndësishme për grupin hetimor dhe mund të ndihmonte në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Burimet thanë se rreth orës 05:00 të mëngjesit të datës 5 tetor, pak orë pasi u vra me armë zjarri 28-vjeçari Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hato, këngëtarja ka fluturuar nga Rinasi në drejtim të Austrisë. Më pas, sipas të dhënave të siguruara nga Policia, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku edhe mendohet se ndodhet aktualisht. Persona të afërm të saj kanë deklaruar se udhëtimi i Elvana Gjatës ka qenë i planifikuar më përpara, pasi ajo kishte një koncert atje dhe nuk është larguar për t’iu shmangur hetimit.

KERKIMI

Në materialin që Policia ka referuar në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me vrasjen dhe plagosjen e dy personave të ndodhur në ambientet e lokalit në pronësi të Redi Popeskut, te ish-Blloku, përveç provave të gjetura në vendngjarje, renditen edhe veprime të tjera hetimore.

“Nga ana jonë është bërë sekuestrimi i DVR-ve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, si dhe të gjitha provave materiale, si edhe të gjitha vendimet e ekspertimeve përkatëse për këto prova materiale. Gjithashtu, është bërë shpallja në kërkim policor i shtetasve, Elvana Gjata 31 vjeç, Geldo Hoti 37 vjeç (tashmë i arrestuar, por dje u lirua nga qelia, pasi iu ndryshua masa e sigurisë), Mevjol Bilo 41 vjeç, Fabio Allushi 42 vjeç dhe Ervin Mata 31 vjeç”, thuhet në dosjen e referuar në Prokurori.

Dëshmia e Popeskut: Mata takoi Elvana Gjatën

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se i është marrë deklarim përsëri shtetasit Redi Popesku, ku ndër të tjera ka deklaruar se ditën e ngjarjes, rreth orës 20:40, përpara dyqanit të tij në ishBllok, ka ardhur shtetasja Elvana Gjata me automjetin e saj dhe aty në rrugë, duke qëndruar në parkim për dy, ka takuar shtetasin Ervin Mata dhe kanë shkëmbyer një çelës shtëpie.

Në këtë moment, në rresht për tre ka kaluar një automjet tjetër dhe personat që kanë qenë brenda në automjet kanë ngacmuar Elvana Gjatën Duke qenë Ervini prezent kanë debatuar me fjalë me të dhe në këtë çast nga dyqani i tij kanë dalë Joli (Mevjol Bilo) me djemtë e tjerë për t’u sqaruar. Sipas Popeskut, ai nuk i ka fiksuar karakteristikat e makinës që kishte ngacmuar Elvana Gjatën, por edhe detajet e mësipërme i kishte dëgjuar nga Ervini, ku ky i fundit u tregonte personave që ishin të shoqëruar me të. Po ashtu kishte dëgjuar nga Ervini se personi i cili drejtonte automjetin me personat që kishin ngacmuar Elvanën, kishte qenë shok i ngushtë i tij.

PANORAMA

© Panoramaplus.al