Ajo u shfaq si një divë e vërtetë në natën e yjeve të muzikës, ku me rastin e 15-vjetorit të Digitalb u mbajt një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej”.
E veshur tërësisht me të bardha dhe në shoqërinë e disa truprojave, Elvana Gjata ishte planifikuar që të këndonte e parafundit, pas Aurela Gaçes dhe para Ledri Vulës. Koncerti ishte konceptuar si një maratonë e vërtetë, ku çdo këngëtar bënte një minikoncert duke kënduar hitet personale.

Të njëjtën gjë bëri edhe Elvana Gjata, e cila e shoqëruar edhe nga një trupë baleti, performoi këngët e saj më të reja, por edhe disa të vjetra, që janë suksese dhe që kanë ritëm.
Natyrisht, kënga “Kuq e zi”, të cilën dikur e këndonte me Flor Mumajesin, ajo e pati si një kulminacion të saj në shesh. Mesa duket, këngëtarët pas ndarjes kanë rënë dakord që secili mund ta këndonte këtë këngë dhe në fakt, edhe Flori e këndon herë pas here në koncertet e tij, por tashmë të modifikuar.

Ajo që na bëri përshtypje ishte veshja e Elvanës kur erdhi, që ishte e shoqëruar dhe e kombinuar me një palë çizme gjithashtu të bardha. Nuk e dimë nëse e kishte planifikuar apo i lindi aty ideja, por ajo u shfaq në skenë me atlete, të cilat i mundësuan kërcimet e saj, që ajo vetë i ka quajtur si sustë.
Si gjithmonë, këngëtarja arriti të krijojë një atmoseferë shumë të këndshme për publikun, i cili kishte mbushur plot sheshin “Skënderbej”, për të ndjekur këngëtarët e preferuar.

Panorama Plus
© Panoramaplus.al
