1 Shkurt, 2019

E larguan nga puna me një sms, “TV Klan” reagon për largimin e Alesia Bamit: E kishte mbushur kupën


Mbrëmjen e së mërkurës Alesia Bami nuk u shfaq si velina e emisionit investigativ “Stop”.

Lidhur me këtë, ajo ka reaguar duke thënë se pushimi i saj nga puna ka ardhur si pasojë e pjesëmarrjes së saj në një intervistë në emisionin “Ftesë në 5” në “Top Channel”.

Alesia gjithashtu ka zbuluar se e kanë larguar nga puna në mënyrë flagrante me një mesazh.

“Të dashur miq! Ashtu siç e keni vënë re dhe ashtu siç kanë shkruar portalet unë nuk jam më pjesë e emisionit ‘Stop’. Kjo për faktin e vetëm se dhashë një intervistë në ‘Top Channel’ dhe më larguan nga puna në mënyrë flagrante me një mesazh. Kjo tregon nivelin e atyre që janë punëdhënësit tonë dhe sa të mbrojtur nga ligji janë punonjësit e mediave, ku nuk respektohet asnjë kontratë pune, aq më pak Kodi i Punës. Sigurisht, që nuk jam as e para as e fundit. Jam e detyruar ta bëj këtë sqarim për gjithë publikun tim dhe gjithë ata që më kanë shkruar dhe suportuar pa fund. Së shpejti do të shihemi në një projekt të ri”, shkruan Alesia në postimin e saj në “Instastory”.

Ndërkohë burime nga  “TV Klan” kanë thënë për “Blitz”, se veç arsyes që përmendi Alesia në rrjetet sociale, shkak për heqjen e saj nga puna ishte mungesa e profesionalizmit:

“Marrëdhënia ka nisur të kriset dhe të acarohet kohë më parë. Ajo e kishte mbushur kupën me sjelljen e saj aspak profesionale. Alesia nuk ishte korrekte me oraret dhe ka treguar mungesë respekti ndaj stafit të emisionit. Përveç kësaj, të dyja velinat duhej që për çdo dalje televizive të merrnin paraprakisht leje tek dy drejtuesit e emisionit, Saimir Kodra dhe Gentjan Zenelaj”.

© Panoramaplus.al