Ndjekësit vijojnë të jenë një tregues shumë i mirë për famën dhe dinamikat e personazheve në rrjetet sociale. I gjithë fokusi është ende tek banorët e “Big Brother”, që janë ndër personazhet më të ndjekur të rrjeteve sociale.

E në fakt, çudia ka ndodhur pikërisht këtë javë, ku Luizi ka humbur shumë terren në “Instagram”. “Top Albania Radio” ka bërë edhe këtë javë një listim të shifrave në rrjetet sociale. Luiz Ejlli, një nga protagonistët e “Në kuadër të dashurisë” që po xhirohet aktualisht në Korçë, është në vend të fundit këtë javë, duke qenë se ka humbur 3 mijë ndjekës.
Nuk dihet nëse ka ndikuar sherri që ai pati me Ronaldon dhe gjuha e ashpër që ka përdorur me ish-banorin në rrjetet sociale ku e kërcënoi se do e hiqte nga puna, por fakt është që pas gati 6 muajsh famë dhe pëlqim nga ndjekësit, për herë të parë Luizi ka humbur plot 3 mijë fansa. Në vend të nëntë renditet Efi Dhedhes me minus 1 mijë ndjekës më pak nga java e kaluar duke shkuar kështu në 585 mijë ndjekës. Efi vazhdon të humbasë ndjekës.
Të gjithë po presin që Efi të nisë të jetë publike në ekran, duke u angazhuar me projekte të ndryshme, apo me intervista, por deri më tani ish-finalistja ka preferuar të qëndrojë e tërhequr dhe të shijojë kontratat e bashkëpunimet në rrjetet sociale. Por, teksa Efi bën para, shumë shpejt po humb ndjekës.
Krist Dragot rezulton me një rezultat stabël nga java e kaluar, duke qenë se nuk ka fituar asnjë ndjekës të ri. Kristi ka treguar se shumë shpejt do të nxjerrë në treg firmën e tij të parfumeve. Sa i përket postimeve të tij në rrjetet sociale, postimet e tij janë të pakta dhe duket se ndjekësit nuk e listojnë tek të preferuarit e ish-banorëve të “Big Brother”, edhe pse fal publikut arriti deri në finale, ku edhe u përball në finale me Luizin.
Keisi Medini nga ana tjetër ka fituar 1 mijë ndjekës. Së fundmi është përfolur për një lidhje romantike mes saj dhe Dj Geek. Të gjithë janë sy e vesh për të parë të ardhmen e këtij çifti, ndonëse deri më tani, asnjëri nga të dy, nuk ka publikuar prova të reja rreth këtij raporti.
Në vend të gjashtë renditet Jori Delli. Ajo është një nga konkurrentet e “Kepit të Tundimeve” që transmetohet në televizion duke nisur nga kjo e diel. Këtë javë ajo ka shtuar 1 mijë ndjekës. Thuajse të gjithë kanë një pëlqim për Jorin, që krahas femrës seksi, di sesi të jetë edhe pa doreza për ndjekësit, që pëlqejnë videot “funny” që ajo herë aps here publikon. Megjithatë interesi mbetet i madh për ta parë në krahët e një mashkulli.
Olta Gixhari, e cila është duke xhiruar filmin “Në kuadër të dashurisë” së bashku me Luiz Ejllin, ka fituar këtë javë 1 mijë ndjekës duke shkuar kështu në 423 K ndjekës. Që pas mbarimit të “Big Brother”, Olta ka njohur vetëm rritje në rrjetet sociale, duke rrëmbyer vëmendjen e publikut, jo vetëm për projektet e reja, por edhe për jetën private. Teksa në javën e kaluar Kiara Tito ka qenë pa asnjë rritje ndjekësish, këtë javë asaj i janë shtuar vetëm 1 mijë ndjekës të rinj.
Shkak mendohet se është bërë pikërisht lançimi i linjës së saj të re në rroba banje, por edhe pjesëmarrja e saj si moderatore te “Kepi i VIP”-ave. Megjithatë, shpesh në komentet e saj nuk mungojnë edhe fjalët negative.
Elvis Pupa, pasi ka ruajtur vendin e parë për të tretën javë radhazi, këtë herë ai kalon në vend të tretë dhe ka fituar 2 mijë ndjekës më shumë në “Instagram”. Postimet e aktorit janë zakonisht gazmore, ndaj edhe interesi i publikut është gjithmonë shumë i madh për të, ndonëse që nga dalja e tij nga loja e “Big Brother”, Elvisi nuk ka bërë asnjë projekt të ri.
Në vend të dytë pozicionohet Ronaldo Sharka. Këtë javë ai ka fituar 3 mijë ndjekës duke shkuar kështu në 143 K. Të shumtë kanë qenë ndjekësit që e kanë mbështetur në përballjen me Luizin dhe Kiarën, duke u “dyndur” në “Instagram”-in e tij.
Nga vendi i shtatë javën e kaluar, moderatorja Dea Mishel Hoxha ka arritur të rrëmbejë vendin e parë, duke shtuar 4 mijë ndjekës të rinj në “Instagram”.
© Panoramaplus.al
