5 Gusht, 2022

Dua Lipa shpallet ‘Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës’


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Dua Lipën ‘Ambasadore Nderi të Republikës së Kosovës’. Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkruan se Duan e ka falënderuar për gjithçka që ka bërë dhe po bën që “zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”.

Sot, Dua Lipës ia ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falënderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për gjithçka që ka bërë dhe po bën që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë. Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës. Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill”.-shkruan ajo.

Presidentja Osmani ka përsëritur gjithashtu mesazhin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Prandaj sot në presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherësh është edhe moto e edicionit të sivjetmë të festivalit Sunny Hill”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, Dua do të nderohet nga Posta e Kosovës, që ditën e nesërme do të promovojë Pullën Postare Dua Lipa.  Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Administratës dhe Protokollit dhe kryesuesi i komisionit për aprovimin e pullave postare, Kamber Demaku. Evendti do organizohet ditën e nesërme dhe pjesëmarrës në këtë ngjarje do të jetë edhe vetë Dua me të atin Dukagjin Lipa.

Ditën e djeshme Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i bëri edhe një dhuratë simbolike 26-vjeçares, duke i dhuruar asaj ‘Hyjneshën në Fron’ në ar të bardhë 4000-vjeçar.

© Panoramaplus.al