Përpos faktit se është një këngëtare mjaft e suksesshme, Dua Lipa, njihet gjithashtu edhe për interesin dhe opinionet e saj në lidhje me politikën.

Nëpërmjet një postimi në “Instatory”, këngëtarja me origjinë shqiptare ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Britaninë e Madhe. Vendimi i kryeministrit vendas, Boris Johnson, për të pezulluar për një muaj Parlamentin ka shkaktuar zemërimin e të gjithëve.

Dua ka shpërndarë një fotografi ku duket kryeministri britanik dhe në pankartë shkruhet: “U prehtë në paqe demokracia britanike”.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Dua tregon se është kundër Brex-it. Një vit më parë, në një intervistë për CNN, Lipa u pyet se çfarë mendonte për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Në atë kohë ajo u shpreh se fakti që është nga Kosova, ka ndikuar në vlerësimin e saj për BE-në dhe se ishte kundër daljes së Britanisë së Madhe nga unioni.
“Duke qenë nga Kosova, e kuptoj rëndësinë e të qenit në BE, për të qenë bashkë. Them se ata që votuan për të dalë, janë më të moshuar se ata që do të vuajnë pasojat”, ishte përgjigja e Dua-s.
© Panoramaplus.al

