Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, i shqetësoi të gjithë fansat e saj pas komplikacionit shëndetësor që pësoi disa ditë më parë si pasojë e një infeksioni bakterial.

E teksa gjendja e këngëtares duket se është stabilizuar dhe tashmë ajo po merr trajtimet e duhura mjekësore në shtëpi, së fundmi ka ardhur dhe reagimi i parë i yllit në rrjetet sociale.
Ajo tashmë po ricakton datat e turneut të saj botëtor, të cilat u anuluan për shkak të gjendjes së saj. Lajmin , ylli e bëri të ditur nëpërmjet një deklarate të gjatë ku fillimisht falenderon të gjithë fansat për mesazhet dhe mbështetjen që i kanë dhënë:
“Faleminderit për energjinë pozitive, lutjet dhe fjalët shëruese dhe inkurajuese. E kam ndjerë dashurinë tuaj. Unë jam në rrugën e rikuperimit dhe tepër mirënjohëse për të gjitha bekimet në jetën time. Mendimi im i parë kur u zgjova në spital ishin fëmijët e mi. Mendimi im i dytë ishte se nuk doja të zhgënjeja këdo që bleu bileta për turneun tim. Gjithashtu nuk doja të zhgënjeja njerëzit që punuan pa u lodhur me mua gjatë muajve të fundit për të krijuar shfaqjen time. Unë e urrej të zhgënjej dikë. Fokusi im tani është shëndeti im dhe forcimi dhe ju siguroj se do të kthehem me ju sa më shpejt që të mundem.”
Madonna deklaroi se do të nisë turneun ndërkombëtar në tetor. Turneu “Celebration” i Madonna-s ishte planifikuar të fillonte më 15 korrik në Vankuver, Kanada. Në një deklaratë pas postimit të Madonna-s, Live Nation konfirmoi se të gjitha datat e turneut tonë në Amerikën e Veriut janë shtyrë.
“Fansat inkurajohen të mbajnë biletat e tyre pasi ato do të jenë të vlefshme për datat e reja pasi të shpallen”- thuhej në deklaratë.

© Panoramaplus.al

