Të gjithë mendojmë se djemtë nuk janë të kujdesshëm kur vjen puna tek rregulli në shtëpi.
Ndoshta jo për fajin tonë, por mashkulli shqiptar nuk shquhet për pastrim, pasi këto “janë punë grash”.

Megjithatë, nuk e mohojmë që ka edhe djem shumë të rregullt e të kujdesshëm për ambientin ku jetojnë.
Ndonëse në pamje të parë ky stereotip nuk duket i dëmshëm, në fakt është! Këtë e ka treguar sot edhe moderatorja e njohur, Dojna Mema.
Në një postim në Instastory, ajo ka publikuar foton e një njoftimi për shtëpi me qira, që jemi mësuar të shohim zakonisht rrugëve në shtylla apo në mure.
Por, qiradhënësit kishin një kusht, pasi në njoftim shkruhej: “Jepet me qira 3+1. Vetëm për vajza.”
Dhe komenti i moderatores ishte: “Dikush të ma shpjegojë”.
Nuk ka vonuar shumë dhe një djalë ia ka shpjeguar situatën Dojnës, duke i thënë: “Ja se ta them unë, se jam çun dhe po kërkoj shtëpi me qira. Sa u them se jemi çuna, direkt thonë jo, sepse nuk jemi të kujdesshëm e të rregullt. Nuk na japin shtëpi ne çunave”.
Ndërkohë, moderatorja i është përgjigjur: “Njoh çuna aq të rregullt e të pastër, sa do ishin ëndrra e çdo vjehrre”.











