2 Tetor, 2022

Detaje nga udhëtimi me emigrantët e paligjshëm/ Dj Cherry sërish probleme me drejtësinë, përfundon në burg


Probleme me ligjin për Dj Cherry, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë pasi dyshohet se ka transportuar disa emigrantë të paligjshëm. Ngjarja është zbardhur rreth 3 muajsh pas ngjarjes të regjistruar në Gjirokastër.

Dj Cherry, emri i vërtetë i të cilit është Ardian Kola, 38 vjeç, thuhet se po udhëtonte me makinë në zonën e “Urës së Lumit” me emigrant të paligjshëm. Mirëpo, Cherry nuk i është bindur policisë e më pas ka vijuar me udhëtimin e tij. “Në kuadër të operacionit “Road Guard 27”, ndalohet një shtetas, i dyshuar si autor i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave, të cilët janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, Tiranë, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ky shtetas, më datë 19.06.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin, me të cilin dyshohet se po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Megjithatë, ky nuk është problemi i parë që Dj i njohur ka, pasi edhe pak kohë më parë, në emër të tij mbërriti një denoncim. Por duket se atëherë historia u mbyll shpejt, çfarë nuk çoi në burg Dj. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojë saga e problemeve të Dj me drejtësinë.

© Panoramaplus.al