11 Qershor, 2019

Delinda Zhupa e “Portokalli”-së, aventura vere me Devis Xherahun, prapaskenat e klipit të parë të aktores


Me mbylljen e sezonit të “Portokalli-së”, aktorja e shumë karaktereve të humorit, Delinda Zhupa, ka nisur punën për realizimin e këngës së saj të parë, një duet me këngëtarin e njohur Devis Xherahu.

Ishte Devisi ai që pak kohë më parë postoi një foto me aktoren, duke lënë të kuptohej se një bashkëpunim i ri artistik po vinte, por pa dhënë detaje. E pas regjistrimit të këngës në studion muzikore, pak ditë më parë, kanë bërë edhe xhirimet e një klipi që duket shumë energjik.

Delinda ka postuar fotot nga paskuintat, duke zbuluar kështu edhe pak nga fabula e këngës. E veshur me veshje në ngjyrë “portokalli”, ajo nuk heq dorë nga simboli i show-t, ku aktron prej vitesh. Sipër një makine kabriolet ata aktrojnë si çift, duke shijuar një aventurë vere pranë detit.

Vetë Delinda postoi fotot duke u shprehur e entuziazmuar për rrugëtimin e saj më të ri në karrierë. Tashmë si nënë e një djali, aktorja e humorit Delinda Zhupa, e cila njihet si drejtoresha e Tatimeve në “Portokalli”, bën ndryshime të rëndësishme në jetën e saj.

Delinda gjithmonë ka qenë e guximshme për projekte të pavarura jashtë televizionit. Pas bashkëjetesës me partnerin skenograf, Eldo Disha, ata hapën biznesin e tyre në Tiranë, një studio multiartistike në tri disiplina, ku japin kurse për fëmijë në aktrim, pikturë dhe balet. Ndërsa Devis Xherahu vjen me një klip veror pas xhirimeve në Shkodër të klipit “Kur gjethet bien në vjeshtë”.

Panorama Plus

© Panoramaplus.al