Shqiptari Gjon’s Tears përfaqësoi Zvicrën në Eurovision 2021 dhe arriti të sigurojë vendin e tretë. Artisti me zërin e veçantë u rendit pas Francës ndërsa çmimin kryesor e mori Italia.
Por, në një intervistë pak muaj më parë, këngëtari është shprehur se ka dashur të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin më të madh të muzikës në Evropë, madje ka aplikuar në Festivalin e RTSH-së, por nuk është pranuar.
Ai u shpreh se kishte komunikuar me moderatoren Alketa Vejsiun, e cila drejtonte festivalin e Këngës në atë kohë, dhe kjo e fundit e kishte pëlqyer shumë këngën.
Gjon’s Tears, emri i vërtetë i të cilit është Gjon Muharremaj, tregoi se fillimisht moderatorja i kishte thënë të aplikonte por më pas e kishte telefonuar duke i thënë “se ishte shumë vonë për të marrë pjesë”.
Ndërsa shtoi se Alketa Vejsiu i kishte thënë se do merrte pjesë në Festivalin e Këngës si ftuar, por sipas tij, “çuditërisht kjo gjë nuk ndodhi”.
“Alketa Vejsiu më shkroi: ‘Super këngë qenka Gjon. E mrekullueshme, do flas me produksionin dhe do të them si do vijohet’. Më tha pastaj hajde apliko dhe telefonoi disa ditë me vonë ku u shpreh: ‘Më fal por janë 22 kandidatë dhe janë 20 vende. Më fal që nuk të thashë më herët por tani je shumë vonë për aplikim.’ Pastaj më tha s’ka problem do të thërrasim si i ftuar. Herën e parë kur e dërgova këngën më thanë: Wow, sa shumë na pëlqen, shumë e bukur, entuziastë të shohim çfarë do bëhet dhe mbas dy ditëve dëgjo Gjon kënga është frëngjisht. Dhe e çuditshme është që më tha do të ftojmë dhe s’më ftoi fare. Por s’ka problem,”- tha këngëtari i ftuar në “ABC News”.
Pas deklaratave të Gjon’s Tears dhe renditjes së tij në vendin e 3-të, reagoi edhe Alketa Vejsiu, e cila dha versionin e saj. Prezantuesja u shpreh se ajo dëshironte shumë që artisti të ishte pjesë e Festivalit por “ardhja e këngës ishte jashtë kohe dhe për më tepër në frëngjisht”.
“Gjoni ka qenë jashtë date atëherë për pranimet, mesa mbaj mend. Unë doja shumë që Gjon të ishte pjesë. Mendoj që është një talent absolut. I kam propozuar të jetë i ftuar si “zërat e të ardhmes”. Ishin bërë zgjedhjet e artistëve dhe ishte jashtë kohe ardhja e këngës dhe për më tepër në frëngjisht. E kam kontaktuar personalisht sepse e konsideroj një talent me një zë dhe stil unik, por ishim jashtë kohe. Procedurat e RTSH-së janë pak rigoroze; kjo nuk vë në diskutim talentin e këtij artisti, të cilit uroj t’ja dëgjoj zërin sa më lart. Nëse do ta ribëja Festivalin, do ta ftoja me kënaqësi,”- u shpreh Alketa Vejsiu për “Anabel”.






