25 Prill, 2020

“COVID-19 qëndron në grimcat e ajrit të ndotur”, shkencëtari flet për ‘The Guardian’: Nëse nuk arrijmë ta zbulojmë, me siguri nuk na mbetet gjë tjetër veçse…


Koronavirusi është gjetur në grimcat e ajrit të ndotur nga disa shkencëtarë, të cilët janë duke kërkuar nëse virusi mund të transportohet nga ajri në distanca të largëta, duke rritur kështu numrin e të infektuarve.

koronavirus

Puna që është bërë për të gjetur këto grimca të virusit është sipërfaqësore dhe ende nuk dihet nëse kjo sasi e gjetur në ajrin e ndotur mund të ndikojë në infektimin e njerëzve.

Shkencëtarët italianë përdorën teknika standarde kërkimore, duke grumbulluar mostra të ajrit të ndotur në qytetet e veriut të Italisë, në Bergamo dhe në zonat industriale përreth, e arritën që të identifikojnë praninë e një gjeni specifik të COVID-19 në shumë prej tyre.

Lenardo Setti, i Universitetit të Bologna-s, udhëheqësi i grupit shkencor që bëri këtë zbulim, tha se është shumë e rëndësishme që të shihet nëse virusi mund të qëndrojë për një kohë dhe distancë të gjatë në ajrin e ndotur.

“Unë jam shkencëtar dhe jam i shqetësuar kur nuk e di diçka. Nëse e zbulojmë me siguri, mund të gjejmë një zgjidhje, por nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vuajmë pasojat”- thotë doktori, shkruan ‘The Guardian’. 

Një analizë statistikore e ekipit të Setti-t mbështet hamendësimin se sa më shumë grimca ndotje të ketë në ajrin e një qyteti, aq më shumë të prekur ka nga koronavirusi, përpara se të merreshin masat për karantinim, sidomos në pjesën veriore të Italisë.

Ky rajon është një nga më të ndoturit në Evropë. Po ashtu dy kërkime të tjera mbështesin studimin e fundit të këtij grupi, për praninë e koronavirusit në grimcat e ajrit të ndotur, ndërkohë që ekspertët pranojnë se zbulimi është i rëndësishëm dhe duhet të hulumtohet më tej.

Është fakt i ditur që grimcat e ajrit të ndotur mund të mbajnë mikrobe për distanca të gjata, për shembull në rastin e gripit të zogjve dhe disa sëmundjeve të tjera. Nuk dihet ende nëse këto grimca të vogla që përmbajnë koronavirusin mund të jenë aq të rrezikshme sa për ta shpërndarë atë dhe për të infektuar, megjithatë nisur dhe nga fakti që Sars-i i vitit 2003 shpërndahej nga ajri, është një studim që duhet parë më tej dhe të vërtetohet përfundimisht.

© Panoramaplus.al