30 Gusht, 2022

“Çfarë vizatojnë jetimët kur ju thonë të bëjnë një shtëpi?”/ Fjoralba Ponari reagon për videon e Dea Mishel: Totalisht e pavend


Një video e nisur për humor i ka kushtuar shumë Dea Mishel.  Në postimin e saj ajo ka bërë një batutë për fëmijët jetimë duke thënë: “Fëmijët jetimë kur u kërkohet të vizatojnë shtëpi, vizatojnë një shtëpi normale apo një institucion.” Gjatë realizimit të videos, ajo e thotë edhe vetë që nuk duhet ta bëjë këtë shaka, madje e përsërit disa herë dhe normalisht prek një tematikë të ndjeshme, por nga ana tjetër, ka vendosur ta postojë videon.

Mes reagimeve të shumta nga përdorues të rrjeteve sociale, ka ardhur edhe një reagim i Fjoralba Ponarit e cila ka postuar një video në Instagram ku është pyetur rreth deklaratës së blogeres. Ajo shkruan se shakaja e saj ishte e pavend, por gjithashtu edhe reagimi i njerëzve ishte ekstrem.

“Mu duk e pavend totalisht dhe e shkëputur nga realiteti që jetojmë këtu në Shqipëri. Ndoshta për një vend tjetër më të zhvilluar, nga një klasë e caktuar njerëzish mund të kuptohet si ‘humor i zi’. Aq sa mu duk i pavend edhe reagimi ekstrem i njerëzve me ofendime, kërcënime. Të gjithë këta njerëz që u indinjuan nëse nuk dinë ku të kontribuojnë, nëse nuk dinë se cilave instanca tu drejtohen, e marrë unë përsipër që gjithë këta njerëz në transparencë totale, hap pas hapi, t’ju kem shoqërues virtual deri në dërgimin e këtyre ndihmave. Mblidhuni!”– thotë ajo në video.

Kritikat kanë qenë të shumta dhe nuk ka munguar as gjuha e ashpër dhe ofenduese ndaj Deas. Kjo e fundit ka reaguar në rrjetet sociale ku përmes një statusi shkruan se “Janë njerëzit normalë që ju dalin skandale normale si tradhëti, ndarje etj, jam edhe unë…”

Më pas ajo shprehet se ‘ndonjëherë mendoj me zë të lartë’, duke thënë se kush është normal e ka kuptuar që nuk ka pasur asnjë qëllim dashakeq, duke akuzuar të tjerë për transformim të asaj që kishte dashur të thoshte. Në fund ajo kërkon ndjesë për ata që mund të jenë prekur dhe përgëzon këdo që e mori videon, sepse ishte në profilin e saj vetëm 5 minuta dhe pastaj u hoq.

Blogerja ka shpërndarë edhe statusin e një miku i cili me ironi shkruan: “Njoftim! Nesër në orën 18:00 djegim Dea Mishel në turrën e drruve. Jeni të gjithë të ftuar.”

© Panoramaplus.al