Shumë njerëz do të thonë se sekreti për një marrëdhënie të gjatë dhe të shëndetshme është komunikimi. Por çfarë ndodh kur komunikimi nuk është i lehtë?

Kur përfshin të vërteta të pakëndshme, kërkesa për ndryshim apo biseda që mund të lëndojnë? Një studim i fundit nga Universiteti i Rochesterit trondit bindjet tona tradicionale dhe sjell një mesazh të fuqishëm: ndershmëria, edhe kur nuk është perfekte, është çelësi i lidhjes së qëndrueshme.
Studimi që shqetësoi 214 çifte
Psikologia Bonnie Le dhe ekipi i saj kërkimor analizuan sjelljet e 214 çifteve heteroseksuale, në lidhje për një mesatare prej 15 vitesh. Qëllimi ishte të kuptonin se si ndikon ndershmëria në kërkesat për ndryshim – një nga temat më të ndjeshme në një marrëdhënie.
Çiftet u ftuan në një seminar të posaçëm, ku secilit partner iu kërkua të mendonte dhe të shprehte diçka serioze që do të donte të ndryshonte tek tjetri – jo një ankesë e përditshme, por një çështje e thellë që zakonisht mbahet brenda për të shmangur konfliktin.
Çdo bisedë u filmua, ndërsa studiuesit krahasuan mendimet e shkruara me atë që u tha me zë të lartë. Përveç kësaj, pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë menjëherë pas bisedës dhe tre muaj më pas, për të parë efektet afatgjata.
Rezultatet: E vërteta afron, jo ndan
Gjetjet ishin surprizuese: sa më i sinqertë të ishte personi që kërkonte ndryshimin, aq më mirë ndiheshin të dy partnerët më pas. Jo vetëm që nuk u ndjenë të lënduar, por përjetuan ndjenjë afërsie më të madhe, siguri emocionale dhe përmirësim të kënaqësisë në çift.
Edhe më befasuese ishte zbulimi se nuk kishte rëndësi mënyra si thuhej e vërteta – qoftë me emocione të forta apo me logjikë të ftohtë – për sa kohë që ajo vinte nga një vend ndershmërie dhe dëshire për të përmirësuar marrëdhënien.
Tre muaj më vonë, çiftet që kishin qenë më të hapur dhe të sinqertë, raportuan se kishin përjetuar rritje të besimit, komunikim më të shëndetshëm dhe përmirësim të dukshëm në sjelljen e partnerit.
Mesazhi: Mos e shmangni bisedën që ka më shumë rëndësi
Studiuesit theksojnë se shumë njerëz kanë frikë se e vërteta do të shkatërrojë lidhjen, por në fakt, është pikërisht ajo që e forcon atë. Të thuash atë që mendon, edhe në mënyrë të papërsosur, është akt dashurie dhe ndërtim besimi.
Në fund, biseda që po shmangni mund të jetë pikërisht ajo që ka fuqinë t’ju afroje më shumë se kurrë.
© Panoramaplus.al

