Brad Pitt i është kundërpërgjigjur ish-bashkëshortes së tij, Angelina Jolie, pasi aktorja ia doli të përjashtonte gjyqtarin e aktorit nga çështja e kujdestarisë së tyre. “Us Weekly” raporton se në dokumentet e reja ligjore, Pitt dhe avokatët e tij, mendojnë se vendimi mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme të shtetit.
Jolie më parë paraqiti një kërkesë që gjyqtari John W. Ouderkirk të hiqet nga çështja, me arsyetimin se ai nuk kishte zbuluar më parë se kishte lidhje me Pitt. Megjithatë, Pitt dhe avokatët e tij deklarojnë se Ouderkirk ka qenë i sinqertë sa i përket lidhjes mes tyre, që datonte qysh në janar të vitit 2017.
Pitt dhe Jolie u lidhën në vitin 2006 dhe u martuan në 2014-ën. Dy vjet më vonë, ata u ndanë, pasi aktorja paraqiti kërkesën për divorc me arsyen e dallimeve të papajtueshme.
Në fillim të vitit 2021, u raportua se Jolie kishte prova rreth pretendimeve se Pitt kishte ushtruar dhunë në të kaluarën, përfshirë edhe një grindje me djalin e tyre, Maddox.
Në muajin maj, Ouderkirk vendosi që Pitt duhet të kishte kujdestarinë e përbashkët të gjashtë fëmijëve të çiftit. Jolie i ishte kundërvënë më parë Ouderkirk, pasi ai u refuzoi fëmijëve mundësinë për të dëshmuar për rastet e dhunës në familje të ushtruar nga aktori. Në dokumentet e gjykatës në maj, Jolie pretendoi se fëmijët mund të ofrojnë dëshmi që sigurojnë prova kryesore për mirëqenien e tyre, por kjo nuk u pranua.
© Panoramaplus.al


