Bora dhe Donaldi nuk fshihen më. Çifti ka nisur të publikojë edhe foto së bashku që pas ribashkimit pak muaj më parë. Ishte Semi Jaupaj ajo e cila ka ndarë në “Instagram”-in e saj një foto nga ‘Sunny Hill Festival’ me çiftin. “Shokë përgjithmonë”, shkruante këngëtarja krahas fotos.

Po ashtu, Bora dhe Donaldi janë fotografuar në momente intime dhe të përqafuar duke mos u fshehur më. Duket se tashmë ata e kanë kapërcyer krizën në çift dhe nuk i fshihen më syrit të fansave të shumtë.

Por ky ribashkim e paska thyer një zemër. E nuk flasim për atë të Beatrix. Ish-konkurrenti i “Për’puthen”, Atdhe Xharavina, ka reaguar pas zyrtarizimit të rikthimit Bora Zemani-Donald Veshaj. E kur këto foto po bëjnë xhiron e rrjetit, Atdheu ka publikuar në “TikTok” një video me këngën e Elgit Dodës me titull “Lamtumirë”.

Kjo këngë është pjesë e triologjisë që ai dhe Donaldi shkruan bashkë dhe i dedikohet historisë së aktorit me Borën. Jo më kot, Atdheu ka përdorur këtë këngë për videon e tij dhe në një moment të tillë. Trekëndëshit Bora-DonaldBeatrix shpesh i shtohet edhe emri i Atdheut. Gjithçka nisi nga disa komplimente nga Atdheu për moderatoren kur ai ishte pjesë e emisionit të dashurisë dhe përfundoi në aludime të shumta se ata kanë pasur një lidhje.

Bora dhe Atdheu janë përfolur për një afrimitet mes tyre pas kamerave dhe sipas zërave, Atdheu ishte një nga shkaqet e xhelozisë që e çoi në ndarje Borën nga Donald Veshaj. Fillimisht, Atdheu foli me superlativa në disa intervista të ndryshme për moderatoren dhe pas vëmendjes që mori nisi të shkonte edhe më tej, duke deklaruar se ajo ishte e vetmja vajzë që i pëlqente në “Për’puthen” dhe se nëna e tij do ta donte për nuse.

Pikërisht ish-konkurrenti nga Prishtina ishte një prej shkaqeve të sherrit që çoi në ndarjen e çiftit, pak para nisjes së “Big Brother”. Xhelozia e aktorit kundrejt Atdheut u shtua edhe më shumë, kur ky i fundit nuk i ndalte deklaratat dhe komplimentet për moderatoren. Edhe gjatë kohës që ishte pjesë e “Big Brother”, Donaldi, gjatë një bisede me Antonelën, la të kuptohej se mes tyre ishte futur pikërisht një i tretë. “Unë kam duruar shumë. Kam kapërcyer shumë dhe ti e di shumë mirë”, dëgjohej Donaldi t’i drejtohej konkurrentes, teksa ajo pohonte gjithçka.

Pas ndarjes nga Donaldi verën e kaluar, në mediat sociale qarkulloi një video e Borës dhe Atdheut që shiheshin në një tavolinë. Por, Bora reagoi asokohe se videoja është bërë gjatë turit që emisioni i dashurisë organizoi në qytete të ndryshme. Kur Donaldi ishte në “Big Brother VIP”, disa foto të tjera qarkulluan ku shihej Atdheu në makinë me një vajzë që i ngjasonte Borës, ndonëse nuk u konfirmua kurrë nëse ishte ajo. Atdheu nga ana tjetër shfrytëzon çdo rast për thumba në rrjetet sociale që ndjekësit ta lidhin me Borën.

Donald Veshaj në ditën e tij të lindjes (1 shtator) i dedikoi këngën “Hesht”, mirëpo Bora Zemani preferoi të fliste. Ndonëse deri më tani moderatorja nuk ka zgjedhur të komentojë publikisht historinë dhe ribashkimin me aktorin, një urim për ditëlindjen e tij nuk ka munguar. Me anë të një videoje në “Instagram”, ku duket ajo vetë, Bora bashkangjitur shkruan: Urime, urime!

Sakaq në rrjet qarkulloi me shpejtësi një foto e Donald Veshajt dhe Beatrix Ramosajt ku shiheshin në makinë bashkë teksa aktori i prekte fytyrën Trixës. Fotoja fillimisht u publikua nga ‘Kryefjala’, por pa detaje. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që kjo foto të jetë një montazh.

Nga ana tjetër kujtojmë që ishte pikërisht nata përmbyllëse e “Sunny Hill Festival” në Tiranë, vendi që Bora Zemani dhe Donald Veshaj zgjodhën për të dalë publikisht krah njëri-tjetrit. Në këngën e re që ka publikuar me titull “Hesht” që duket një dedikim i ndjerë dhe romantik rreth ribashkimit të tyre pas ndarjes së aktorit nga Beatrix Ramosaj.

Mes vargjesh, aktori shprehet se e ‘ka thyer’, të gjithë e dimë se është referencë e lidhjes së tij në ‘Big Brother VIP’ dhe gjithashtu shton se po mendon për të me lot në sy: “Tu mendu për ty jam, tu mendu sa shumë të kam dashur dhe të kam thyer. Tu mendu për ty jam, tu mendu për ty me lot në sy”.

Ai i lutet ‘asaj’ të mos largohet pasi në mëngjes ajo nuk është në shtrat dhe për këtë pyet se pse nuk po na lënë bashkë: “Të lutem rri edhe pak. Mos ik këtë natë. Mëngjesi vjen dhe ti nuk je në shtrat. Pse s’po na lejnë ne me kon bashkë? E me i kap yjet nalt?”. “Shoh mesazhet e vjetra e me vete qesh si idiot, mos fol ti të kuptoj më mirë me sy se me fjalë. A po vjen lëri krejt, lëri llafet, lëri njerëzit, Unë para teje i lë krejt, mos u nervozo, nuk jemi duke bërë faj, afrohu dhe më puth si herën e parë”, janë disa nga vargjet e tjera të këngës që lidhen me historinë e Donaldit me Borën.
Sakaq, në refren ai i lutet të mos flasë duke u shprehur se e kupton më mirë me sy se me fjalë: “Të lutem mos fol ti. Të kuptoj më mirë me sy se me fjalë. Hesht e mos fol ti. Jo mos kij frikë se nuk jena tu bo faj”.

Pas daljes nga formati, Donaldi i dedikoi asaj këngën ‘Nuk je’ ku shprehte ndjenjat e tij rreth mungesës së Borës dhe i lutej për dashuri. Po ashtu, në bashkëpunim me Elgit Dodën kanë shkruar një triologji rreth historisë së tyre që u publikua gjatë qëndrimit të tij në ‘Big Brother VIP’. Por duket se tashmë që lidhja e tyre po konsolidohet edhe për publikun, Atdheu nuk ka ndërmend të reshtë së ngacmuari Borën.

Ai ka vijuar sërish me ngacmimet në rrjetet sociale, si për të rikthyer vëmendjen e të gjithëve tek historia e tyre, që ndonëse nuk u konfirmua kurrë, ishte mjaftueshëm për të sjellë debate mes saj dhe Donaldit. Pak kohë më parë, Atdheu ishte i ftuar në emisionin, ku foli për faktin se është komentuar shumë në rrjet për jetën e tij sentimetale dhe se emri i tij është lakuar pranë shumë vajzave, përfshirë këtu edhe Borën.
“S’e kuptoj pse unë jam përfshirë (në lajme me figura të ndryshme publike). Kishte ditëlindjen dhe për respekt i dërgova lulet. Njerëzit, siç është ajo shprehja, shto ujë e shto miell”, u shpreh ai. Ndër të tjera, ai foli më specifikisht për Borën dhe faktin që nuk ndiqen më në “Instagram”.

“Aq shumë u tensionua, aq shumë u bë stresuese, sa u prish edhe miqësia. Nuk ka hiç komunikim. E hoqa unë, jo që të qetësoheshin shqiptarët, por kështu ndodhi. Atë zgjodha unë”, tha ish-konkurrenti. Megjithatë, Atdheu në një pyetësor mbi dashurinë që iu bë gjatë emisionit, tregoi se kishte mbyllur së fundmi një histori dashuri duke shtuar se ka dalë i lënduar nga një vajzë shqiptare, e cila ka një emër shumë të ftohtë.

Atdheu shtoi dyshimet se vajza me emrin e ftohtë është Bora, pasi theksoi se vajzën në fjalë nuk e ndjek më në “Instagram”. Nga ana tjetër, i pyetur nga moderatori, ai komentoi edhe trekëndëshin e famshëm Donald-Bora-Beatrix: “Nuk i gëzohem ndarjes. Kam besuar te Donaldi-Bora, por tani jam duke besuar te Donaldi-Trixa. U hap rruga thonë portalet, unë jam në terezinë time”.

Dukej sikur në fillim i sheshoi fjalët, por Atdheu me natyrën e tij ngacmuese dhe me deklaratat për ish-të dashurën arriti të konfuzojë akoma më shumë. Gjithashtu, në fund të intervistës Atdheu thumboi sërish ku tha se “pret të shkojë për pushime në një vend me borë”.


