Chiara Ferragni ka zbuluar së fundmi se shkon te një psikolog një herë në javë. Influencuesja me mbi 24 milionë ndjekës në Instagram, është munduar që të ndihmojë të tjerët për të thyer tabutë në lidhje me çrregullimet mendore dhe me terapitë apo trajtimet.

Ajo ka thënë në rrjete sociale se vuan nga ankthi, ndërsa në të kaluarën është përballur edhe me sulme paniku.
“Unë kam punuar shumë për veten, gjithmonë jam përpjekur të përballem me frikën dhe ta kuptoj mendjen time ngadalë”. Pastaj ajo shtoi: “Në tre vitet e fundit i kam dhënë vetes një nga dhuratat më të mëdha për të kuptuar veten: Unë shkoj te një psikolog një herë në javë, një përvojë që ua rekomandoj të gjithëve“.

Ajo tregoi se ka vuajtur nga sulmet e panikut, kur ishte në Los Anxhelos, larg njerëzve më të dashur. Chiara tha se arriti t’i kapërcejë frikërat vetëm duke u përballur me to, por sqaroi se “çdo përvojë është e ndryshme“. Tani, është më e vetëdijshme dhe në gjendje t’i menaxhojë ato.

“Tani kur jam pak në ankth (duke qenë se jam prind ndodh shpesh), përpiqem të përqendrohem tek punët ose tek gjëra të tjera dhe të mos përqendrohem tek e njëjta ndjesi,“- shkroi ajo.
Chiara tha se edhe tani nuk është 100% “Chiara” që do të donte, por po punon çdo ditë me veten dhe është shumë e lumtur për personin që është bërë dhe po bëhet.


