Bebe Rexha ka dhuruar plot 10 mijë dollarë për Spitalin e Dibrës, për shkak se nuk ka mjaftueshëm furnizime për t’u kujdesur për pacientët. Këngëtarja i ka bërë thirrje publikisht të gjithë ndjekësve në llogarinë e saj në Instagram që të ndihmojnë me sa të munden.

“Për të gjithë shqiptarët dhe dibranët e mi, ju lutem ndihmoni! Nuk ka mjaftueshëm furnizime. Ju lutem ndihmoni duke dhuruar. Çdo gjë ndihmon”, shkroi artistja shqiptare në Instastory.

32-vjeçarja ka ndërlidhur edhe linkun, i cili të çon direkt e te fondacioni i hapur në faqen “GoFundMe”, ku mund të dhurohen online të ardhura për të ndihmuar spitalin.
Nga pasqyra e bërë mbi këtë fondacion online, mund të shihet se vetë Bebe ka dhuruar plot 10 mijë dollarë (rreth 8,400 euro) për të ndihmuar me furnizimin e spitalit.

Këngëtarja festoi para dy ditësh 32-vjetorin e lindjes. Ajo ka zbuluar se i ka bërë vetes dhuratë një libër nga seria e “Harry Potter”. Me anë të një videoje të postuar në Instastory, Rexha ka treguar se ka blerë librin “Harry Potter dhe Guri Filozofal”. Libri është botuar në vitin 1997 dhe Bebe duket shumë e lumtur që ka arritur të sigurojë një kopje të tillë kaq të veçantë.



