Artistët kanë një rregull të pashkruar të profesionit të tyre, atë të fshehjes së emocioneve gjatë kohës që performojnë në skenë.

Mund të kenë probleme nga më të ndryshmet, por publiku pret të argëtohet, sepse para tij nuk duhet të duken as vështirësitë, as hallet e problemet që, në fund të fundit, edhe artistët nuk i kanë më pak se të tjerët.
Një rast të tillë ka kaluar edhe balerina Isida Mollaymeri, e cila, e ftuar dje në “Pushime on Top”, ndau me publikun momentin më të vështirë që ka kaluar në skenë gjatë gjithë karrierës së saj.

“Ne edhe në skenë nuk i shfaqim kurrë vuajtjet, i mbajmë gjithmonë pas skene. Në skenë ndoshta nuk është ndonjë vuajtje, sepse gjërat kalojnë. Janë gjëra që ndodhin, ne jemi njerëz të gjallë. Por, për shembull, nëse ndodh ndonjë fatkeqësi, edhe ti je i detyruar të dalësh në skenë.

Mua më ka ndodhur. Ne e kemi si ligj, gjithçka që ndodh, ti duhet të dalësh në shfaqe, sidomos kur nuk ke zëvendësues.
Unë humba një mikeshë, ka qenë ‘Traviata’. Nuk kam pasur zëvendësuese dhe gjatë gjithë kohës kur kërceja, qaja. Publiku është ngritur në këmbë, sepse e kishte marrë vesh. Ka qenë një nga ditët më të vështira të jetës sime”,- rrëfeu Isida.


