Disa kohë më parë Aurela Gaçe zbuloi momentin më të vështirë që iu është dashur të kalojë ndonjëherë: rreziku për të humbur përgjithmonë zërin e saj.

Pas kësaj deklarate, në media u krijua një zhurmë e madhe duke keqinterpretuar fjalët e këngëtares, sikur do të tërhiqej përgjithmonë nga muzika. Megjithëse ka reaguar edhe më herët, ajo vendosi t’i rikthehej kësaj situate në një intervistë të dhënë së fundmi.
E pyetur nga gazetari i “21 Media” nëse ka pasur raste që i është dashur të anulojë ndonjë performancë, këngëtarja tha: “Ka ndodhur që e kam bërë në maj në Amerikë. Vija pas një sezoni të fuqishëm në Tiranë ku vë shumë energji, dhe mbase isha pak e tejet lodhur dhe mjekja atje më këshilloi që të merrja 10 ditë pushim. Unë e thashë që do bëja pushim, mediat e bënë që Aurela lë muzikën, ore këtu më keni mua, nuk ju ndahem unë…”

Intervista e shkurtër u zhvillua para një koncerti që Aurlea mbajti në Maqedoni, ku këngëtarja këndoi si gjithmonë live. Duke pasur parasysh ‘trendin’ e këngëtarëve të tjerë që shpesh në koncertet këndojnë ‘playback’, artistja u pyet se pse i qëndron besnike traditës së të kënduarit live.
“Në të gjithë botën nuk është ndonjë çudi e madhe që artisti të këndojë live. Ti shkon shikon ndonjë ndeshje futbolli ose boski? Çfarë do bëje nëse boksieri do ta kishte pre-regjistruar ndeshjen ti të paguaje biletën dhe ai të bënte sikur i binte. Unë bëj detyrën që bën çdo artist përderisa e do muzikën, për të tjerët duhet të pyesësh të tjerët, unë flas për veten time. Është detyra që duhet të bëjë secili nga ne”- tha Aurela duke shtuar më tej se, “Fakti që nuk pranoj ta gënjej publikun sepse unë kënaqem vetë. Kur performoj dhe marr energji nga publiku, është pasuri.”

Ndër të tjera ajo komentoi edhe artistët e rinj, ku shprehu se “i marrim nga bota, frymëzohemi dhe bëjmë muzikë.”
“Ajo është me breza. Kur kam qenë unë e vogël ka qenë një brez tjetër. Erdhëm ne të viteve 90, Adelina Ismajli, Aleksandër Gjoka… por ishte një frymë tjetër. Pra i bie njësoj sikur të na shanin ne ata të vjetrit. Kështu që çdo brez evulon në mënyrën e vet. Unë mendoj që ne jemi marrës shumë të mirë të energjive të botës, i marrim nga bota, frymëzohemi dhe bëjmë muzikë.”– shprehu Aurela.
Por pavarësisht se u tregua e kujdesshme në përgjigjen e saj për artistët e rinj, Aurela nuk la pa ironiziuar klikimet e tyre. Duke folur për këngën e saj të re, ajo tha se është pritur mirë por shtoi se nuk ka shumë klikime pasi ajo nuk i ka blerë.
“Pritet shumë mirë. Nuk i kam ato klikimet sepse nuk kam lekë që t’i hedh për të blerë ato klikime. Apo s’duhet ta thoja këtë? Lekët i hedh në performancë, në punë. Nuk kam nevojë ti mbush mendjen askujt nëse jam e suksesshme ose jo sepse shumë mirë kudo që shkoj publiku më pret shumë mirë”- tregoi këngëtarja, e cila gjithashtu lajmëroi se së shpejti do të vijë me një album të ri.

© Panoramaplus.al

