Dy mikeshat e vjetra të muzikës, Aurela Gaçe dhe Eli Fara, kanë prezantuar më në fund duetin e parë të jetës, të dielën që shkoi në “Kënga Magjike”.
Lajmin e bëri të ditur fillimisht Aurela përmes një postimi në rrjetet sociale, duke njoftuar se 20- vjetori i “Kënga Magjike” i ka bashkuar për projektin e ri me titull “Zemra rratatata”. “E në fund, bashkëpunimi ynë i parë. 25 vjet miqësi e ngushtë, asnjë këngë. Duhej 20-vjetori i ‘Kënga Magjike’ që të mendonim t’i jepnim publikut tonë një dhuratë. Nga shpirtrat tanë për ju!”, shkruante Aurela.

Dhe prezantimi i këngës u bë më në fund në programin “E Diela Shqiptare”, ku pak para performancës, producenti dhe moderatori i festivalit Ardit Gjebrea, nëpërmjet një loje, vuri në provë besnikërinë e Elit ndaj Aurelës dhe besnikërinë e Skerdit si bashkëshori i Aurelës.
Dy artistet me zëra brilantë, që u veshën për këtë deputim nga stilisti i njohur Joni Peçi, sollën duetin e shumëpritur nga fansat e tyre, me muzikë të Adrian Hilës e tekst të aktorit Erion Isai, i cili për rrepturën e këngës kishte futur fragmente nga poezia “Dale moj” të Fan S. Nolit.
Por gjatë performancës, publiku zbuloi se pjesë e skenës ishte dhe një person i tretë, pikërisht Etem Qerimaj, i cili luan pjesën e tij me violinë. Por si e priti publiku këtë duet Big, dhe a ishte kënga e duhur në vendin e duhur? Natyrisht që me publikimin e këngës në “Youtube” vërshuan komentet pro dhe kundër ndaj dy mikeshave të ngushta, që ndanë skenën për herë të parë në një festival ku hyhet për të fituar një kupë.

“Vullkani & finesa baras me diva. Shqipëria i ka dy yje, që skena e ka për nder t’i mirëpresë! Zjarr te Klani dhe shpërthim në Pallat të Koncerteve. Po edhe mjeshtri Etem Qerimaj e ka hijeshuar më shumë këtë këngë bashkë me vargjet e të madhit F.S.Noli”, shkruante një komentues.
Ndërkaq kishte nga ata që patën tjetër këndvështrim për këtë produksion dhe nuk ishin të paktë. Disa komentues shkruanin: “Këngë për Maratonën e Këngës Popullore”. “Stili i Elit s’i rri Aurelës. Nuk jemi te Maratona e Këngës Popullore”, përforconte këtë ide një tjetër. “Artiste të mira, ama kjo këngë nuk është për ‘Kënga magjike’”, shkruante një tjetër komentuese. “Më duket vetja sikur jam në Ansamblin e muzikës popullore! Kjo këngë nuk meriton as kualifikimin në finale e jo për çmim! Artiste të konsumuara! Shumë dobët në tërësi produksioni”, citohet nga një tjetër koment.
Ndërsa një fanse e Aurelës shkruan: “Nuk e di… jam fanse e çmendur e Aurela Gaçes, po te kjo këngë… është si akullorja me patatinat: të dyja shkojnë veç e veç, po së bashku nuk durohen… Shkurt, nuk e di se kush ju bashkoi ju me njëra-tjetrën!” “100 këngët e shekullit apo ‘Kënga Magjike’?” pyeste një prej komentuesve në “Youtube”.
Komentet ishin të shumta, por nuk dihet se çfarë përgjigje do u jepnin vetë Eli dhe Aurela këtyre këndvështrimeve. Kujtojmë që miqësia e Aurelës me Elin e ka zanafillën që nga spektaklet e Vera Grabockës me këngë qytetare e popullore, u përforcua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ato emigruan për disa vite dhe vazhdoi në Tiranë me rikthimin e fuqishën në tregun e muzikës. Ky është dueti i tyre i parë në një skenë festivali, por i disati në netët live, ku Eli ftohej në skenë nga Aurela.
PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al
