Në mbrëmjen gala të fundvitit, organizuar nga FSHF, është prezantuar edhe ambasadorja e futbollit të femrave. FSHF ia ka akorduar këtë atribut ish-misit të parë shqiptar, Valbona Selimllari.

Ish-misi u prezantua nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Pak kohë më parë, FSHF shpalli Lorik Canën si ambasador të projektit “Grasroots” dhe futbollit të fëmijëve. Në mbrëmjen festive, Selimllari ka bërë jo pak humor. “E di që duke qenë me një gotë të mirë vere, nuk e keni vëmendjen te fjalët, por do ju kërkoja që të më dëgjoni pak për çfarë dua të them”, ishte hyrja e ish-misit, që mori vëmendjen e të pranishmëve.

“Kur kam qenë e vogël, luaja shumë mirë futboll. Madje, djemtë e lagjes më etiketonin edhe si ‘Bobi Çarlton’. Nëse do të kisha qenë djalë, në fakt do të isha bërë më i miri”, vijoi fjalën e saj Selimllari.
Më tej, në fjalën e saj, ajo kërkoi vëmendje për futbollin e femrave dhe veçanërisht për futbollin e vajzave të vogla, si një mundësi e mirë për të ardhmen jo vetëm të fëmijëve në përgjithësi, por edhe të femrave.
© Panoramaplus.al
