Aktori i njohur i humorit Eglein Laknori, ishte i ftuar një ditë më parë në emisionin e pasdites “Rudina”, së bashku me bashkëshorten e tij, Anën.

Gjatë kësaj interviste, ata rrëfyen historinë e tyre të dashurisë. Dyshja rrëfeu se lidhja e tyre nisi në një periudhë të vështirë për Anën, por që duke kaluar koha Eglein u bë mbështetja e saj më e madhe.
Gjithashtu aktori tregon se si i propozoi bashkëshortes së saj dhe sa kohë kanë bashkë.

“Ne kemi 5 vite që njihemi me njëri-tjetrin, por kemi dy vite martesë. Propozimi ishte i natyrshëm, e gjithë marrëdhënia ka ardhur natyrshëm. Lidhja jonë ishte spontane, nga një puthje në vetull dhe duke zbrit më poshtë. Puthja e parë është shkëmbyer në një lokal te Liqeni. Unë kam një parim në jetë, më pëlqen t’i vlerësoj njerëzit ashtu siç janë dhe jo siç i dua unë të jenë dhe Anën e dua kështu siç është”, u shpreh Egleini.
“Në kohën kur unë u njoha me Egin nuk kam qenë mirë nga ana shëndetësore, kam patur çrregullime me ankthin aq sa më ikte edhe memoria ndonjëherë. Njohja jonë ka ndodhur në këtë periudhë të vështirë të jetës time dhe Egi ka qenë shumë afër meje, që do të thotë ai tregon një anë njerëzore. Ne nuk kishim kohë të dukeshim bukur para njëri-tjetrit, jemi njohur në kohë të vështirë dhe kemi hyrë drejt e në temë. Duke qenë se ne e duam natyrën edhe dasmën vendosëm ta bëjmë në natyrë”, rrëfeu Ana.


