24 Nëntor, 2018

Ajsi Xhaxhaj në Tiranë për premierën e filmit ku luan vetë, dyshimet se është fejuar dhe jeton në Paris


Pas një periudhe të gjatë pauze, aktorja dhe prezantuesja Ajsi Xhaxhaj është rikthyer në Tiranë për të ndjekur premierën e filmit ku është vetë protagoniste, me titull “Dashuria s’mjafton”.

Filmi me regji të Drilon Hoxhës është një ndërthyerje e dramës me aksionin dhe Ajsi ka rolin e protagonistes që dashurohet marrëzisht me partnerin e saj. Edhe pse në fillimet, kur iu besua roli, u shpreh se nuk e kishte përjetuar këtë histori në jetë, pasi ende nuk kishte dashuruar siç dashuronte personazhin mashkull në këtë film, duket se gjërat në jetën e saj kanë ndryshuar.

Ish-protagonistja e “Kripmjaltëzave”, që nga muaji maj i këtij viti, po përflitet për një histori pasionante dashurie, madje, thuhet se ajo po jeton në Paris, ku edhe ka marrë propozimin e fejesës. Vetë Ajsi e ka vërtetuar këtë fakt me postimet e herëpashershme që bën në rrjetet sociale, ku poston foto duke u puthur në makinë apo rrugët e Parisit me të dashurin e saj, të cilit kujdeset t’i mbulojë fytyrën.

Në një nga fotot e postuara në “Instagram”, ajo shkruante “Le të dashurohemi në Paris!”, status që u komentua në media se dikush i ka rrëmbyer zemrën Ajsit, por ajo ia fsheh identitetin. Po ky nuk ka qenë rasti i vetëm ku aktorja dhe prezantuesja ka ndarë me ndjekësit momente intime me të dashurin. Në muajin gusht ajo postoi një tjetër foto, ku shkëmbente një puthje të nxehtë në një makinë luksoze.

Edhe pse nuk ka dhënë ende ndonjë intervistë për lidhjen e re, Ajsi ka publikuar shumë foto me të dashurin e saj aktual dhe ka treguar se është shumë e dashuruar me të. Dyshimet e para se është fejuar ajo i ngriti vetë kur në rrjetet sociale postoi një fotografi me dorën e saj, ku kishte të vendosur një unazë në gishtin e fejesës.

“Një jetë me ty”, shkruante në foto pa dhënë shpjegime se kujt i drejtohej me dedikim të fortë dashurie. Në një intervistë për “Panorama Plus”, përveç planeve për të luajtur në të tjerë filma e për t’i hyrë me kohë të plotë televizionit, Ajsi ka folur edhe për dashurinë si koncept dhe kujt mashkulli mund t’ia falte zemrën me bindje.

“Nuk e di nëse ka një përgjigje konkrete për këtë. Por zemrën me bindje mund t’ia fal dikujt që vërtet më meriton mua, pasi nuk dua të shpenzoj kohë dhe ndjenja shpirtërore me dikë, që mund t’i japësh 1000 gjëra kur di të numërojë deri në 10”, është përgjigjur ajo. Ndërsa për karrierën tha: “Pasi pres premierën e filmit ‘Dashuria s’mjafton’, po mendoj pozitivisht të bëhem pjesë e një televizioni. Por është shpejt të flas për këtë plan të diskutuar. Përsa i përket roleve në kinema, pres duartrokitjet nga publiku për filmin që do të shfaqet tani afër, e më pas pres ftesat nga regjisorët e tjerë”, citohet të jetë shprehur Ajsi.

Paralelisht me sheshin e xhirimit, ajo është shfaqur dhe në skenë, siç ishte prezantimi i “Shkodra Fest”, pas ofertës që iu bë nga Elsamed Senaj, reper dhe ish-lojtar i “Big Brother”.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al