26 Shkurt, 2022

A do të mbahet “Sunny Hill” këtë vit? Dua Lipa tregon se çfarë do të ndodhë me festivalin


Festivali “Sunny Hill” u mbajt për herë të parë në vitin 2018 dhe u kthye në traditë vjetore në Kosovë. Por për shkak të koronavirusit është vënë në pikëpyetje fakti nëse do të mbahet këtë vit apo jo.

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, e cila është njëkohësisht vajza e organizatorit të festivalit, Dukagjin Lipa, konfirmoi se “Sunny Hill” do të rikthehet këtë vit madje me një organizim të veçantë.

“Një vend ku mezi pres të kthehem është Shqipëria e Jugut. Shkova për dy javë verën e kaluar dhe bukuria atje është e pakrahasueshme. Uji është i njëjtë me Greqinë dhe ushqimi është i mahnitshëm. Po përpiqem të bëj sa më shumë njerëz të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë: dua të ndryshoj këndvështrimin e tyre se si janë këto vende. Festivali ynë ‘Sunny Hill’ do të përsëritet në Kosovë në gusht të këtij viti, dhe më pas do të kthehem me siguri në Shqipëri”, tha 26-vjeçarja në një intervistë për Financial Times.

“Sunny Hill” është kthyer në një festival të rëndësishëm ku bashkohen artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ai zhvillohet me synim promovimin e Kosovës dhe Dua ka ftuar atje këngëtarë si Miley Cyrus, Gashi, Calvin Harris, Martin Garrix etj.

© Panoramaplus.al