Pas aludimeve të shumta se mes Donald Veshajt dhe Semi Jaupajt po lind një histori dashurie brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, këngëtarja ka sqaruar një herë e mirë se nuk do të lidhej kurrë me ish të dashurin e shoqes.

Aktori i humorit prej disa muajsh është ndarë nga moderatorja Bora Zemani, e cila është njëkohësisht shoqja e ngushtë e Semit. Teksa po bisedonin me njëri-tjetrin, një pjesë e banorëve vendosën të hapnin një temë diskutimi: “A do të lidheshe me ish-partnerin e shoqes së ngushtë?”. Pjesë e bisedës ishte edhe Semi me Donaldin dhe e para që reagoi ishte këngëtarja.

“Jo, kategorikisht jo. Sidomos nëse është shoqe e ngushtë absolutisht që s’do e bëja kurrë! Shoqet e ngushta janë shoqe të ngushta dhe i kam njësoj si motrat e mia. Është si të lidhem me ish-burrin e motrës.
Nëse është një njeri që e kam takuar vetëm 2 herë dhe s’më lidh asnjë gjë, lidhem patjetër. Por është tjetër gjë nëse unë ha e pi me të. Nëse është te rrethi im i ngushtë, te njerëz që unë i frekuentoj shpesh, kategorikisht jo!
S’ka të bëjë fare me situatën, ka të bëjë me personalitetin dhe parimet që ke në jetë. Parimi im është ky dhe pikë!”,- tha e bindur Semi, ndërkohë që Ilir Shaqiri iu përgjigj duke i thënë se flet kështu, pasi nuk është “goditur” nga diçka e tillë.

“S’më ka ‘goditur’, por edhe po të më ‘godasë’ do ta shtyp veten dhe do bëj kështu,”- ishte përgjigja e Jaupajt.
Ndërkohë, edhe Bora Zemani reagoi mbrëmë në rrjete sociale pas aludimeve se Semi dhe Donaldi mund të kenë një pëlqim të fshehtë ndaj njëri-tjetrit.

Ndër të tjera, moderatorja shkroi në Instastory:
“Kjo eksperiencë nuk më takon mua, por Semit dhe Donaldit dhe ata janë të lirë të sillen dhe ta shfrytëzojnë si të duan. Di të them që ata kanë patur një marrëdhënie shumë të mirë edhe jashtë, prej meje!
Nuk dyshoj në asnjë moment që Semi mund të ketë pëlqim më shumë se shoqëror për Donaldin. Nga ana tjetër, edhe pse prej kohësh nuk jemi bashkë, unë dhe Donaldi gëzojmë respekt për njëri-tjetrin dhe nuk do krijonim asnjëherë situata të tilla.
E shoh thjesht mbështetje dhe krah për njëri-tjetrin! Kaq! E kuptoj që duhet të komentoni, por mos e ekzagjeroni e mbi të gjitha mos shpifni!”.


