Ricky Martin ka perfor muar në Tiranë, duke ngritur peshë publikun shqiptar. Koncerti kishte kohë që ishte lajmëruar dhe gjithçka ishte përgatitur me shumë kujdes. Nga ana tjetër, si asnjëherë më parë, vetë artisti zgjodhi që të vinte në Tiranë 2 ditë para koncertit, si për të shijuar edhe pak orë pushime përpara se të ngjitej në skenë.

Ai ka shprehur dëshirën të vizitojë vendin para se të ngjitet në skenë më 20 korrik. Në momentin e mbërritjes në Tiranë Ricky Martin u shoqërua nga stafi i tij dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Mirëpo përveç kësaj, Ricky nuk la pa theksuar faktin se Shqipëria është një vend shumë mikpritës dhe këtë gjë ai ia bëri të ditur dhe 18 milionë ndjekësve të tij në “Instagram”, ku kishte publikuar një status ku thuhej:
“Një ndër gjërat më fantastike që shikoni kur udhëtoni në ‘tokën e shqiponjave’, nga kryeqyteti, te malet apo te historiku i qyteteve, ju do të mirëpriteni nga vendasit. Shqipëria është një nga shtetet më mikpritës që do të vizitoni ndonjëherë”, thuhej në postim krahas të cilën këngëtari e pohoi plotësisht duke shkruar: “Fakte”.

Këngëtari i “La vida Loca” nuk është në momentin më të mirë në çeshtjet e zemrës, duke qenë se pak ditë më parë ai konfirmoi se është divorcuar nga bashkëshorti Jwan Yosef pas një martese 7-vjeçare.

Mesa duket këto ditë të shpenzuara në Tiranë, kanë qenë edhe një terapi e mirë për Martin, që po ndeshet me probleme në jetën e tij private. Teksa mediat botërore raportojnë detaje nga ky divorc, këngëtari shijoi kohën mes Durrësit dhe Tiranës, duke u njohur më nga afër me vendin tonë. Por, ajo që ra në sy te ky koncert ishin çmimet.

Ndryshe nga koncerti i Enrique Iglesias, që performoi në Tiranë rreth 1 muaj më parë, biletat kishin një çmim më të lirë. Vetëm pak orë para nisjes së koncertit, biletat më të lira ishin rreth 30 euro, ndërsa ato më të shtrenjta, vetëm për të ndjekur koncertin ishin rreth 175 euro. Biletat për koncertin e Iglesias fillonin nga 28 euro në zonën e fundit, në zonën e bronzit ishin 90 euro, në atë platinium 99 euro, në zonën e artë 123 euro, atë të argjendtë 62 euro.

Më të shtrenjtat ishin paketat VIP. “VIP GOLD ZONE B 1st Roë Table” kushtoi 900 euro dhe ka katër përfitime: 20% zbritje për koncertin e Ricky Martin në datën 20 korrik, përfshin hyrjen me bileta “VIP gold” për 4 persona, 1 shishe alkool (përjashtuar shmpanjën) dhe “VIP PASS”. Çmimi mesatar i biletës për një person në këtë paketë arrin në 225 euro (900/4).
Rekordin e mbajti paketa “Vip Gold zona A”, me 2 mijë euro, që kishte katër përfitime: 20% zbritje për koncertin e Ricky Martin në datën 20 korrik, përfshin hyrje me bileta “VIP gold” për 6 persona, dy shishe alkool (përjashtuar shampanjën) dhe “VIP PASS”. Çmimi mesatar i biletës për person arriti në rreth 330 euro. Ndërkohë që ndryshe paraqitet situata për koncertin e Martin, ku biletat ishin disa herë më të lira, duke shfaqur një interes edhe më të lartë, nisur nga çmimet më të arsyeshme.
Ndërsa, shfaqjet e artistëve në botë shiten menjëherë pavarësisht çmimit të shtrenjtë, dhe në tregun e rishitjes arrijnë edhe mbi 10 mijë euro për shkak të kërkesës së lartë, në Shqipëri biletat e shtrenjta duket se stepin dashamirësit e muzikës. Por, nuk ka ndodhur kështu me Ricky Martin, që shitja e biletave ka nisur rreth 2 muaj më parë, duke pasur mundësi të gjenin bileta edhe në zbritje, disa herë më të ulta.


