Sot Kosova feston 14-vjetorin e Pavarësisë. Para godinës së kryeministrisë u ngrit flamuri blu e verdhë. Prezent në ceremoni ishin, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, bashkë me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Teksa urime kanë ardhur nga gjithë shqiptarët.

Po ashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës ka realizuar një video-mesazh urimi për të gjithë shqiptarët, me urime nga yjet më të mëdhenjë të kulturës dhe sportit shqiptar. E para që nisi video-mesazhin është Dua Lipa, e cila uroi përzemërsisht bashkëkombësit e saj.
“Gjithçka që e bëjmë, e bëjmë me dashuri dhe pasion, sepse kështu jemi të formuar. Sfidat që kishim, ato me të cilat ballafaqohemi dhe krenaria për identitetin tonë e bënë më të fortë se kurrë, ndërsa i tregojmë botës kush jemi përmes artit, kulturës dhe sportit. Urime ditëlindjen e 14-të Kosovë, të dua shumë”, thotë Dua Lipa.

Një urim tejet i veçantë ka ardhur edhe edhe nga këngëtarja Rita Ora, e cila ka marrë nga shteti i Kosovës titullin ambasadore, për hir të promovimit që i ka bërë vendit në arenën ndërkombëtar.
“Përshëndetje nga Rita, urime Dita e Pavarësisë. Si ambasadore e Kosovës e shoh shumë të rëndësishme ta festojmë këtë ditë, kaq aq shumë domethënie për ne. Shpresoj që të gjithë të keni një ditë të mrekullueshme”, thotë Ora në urimin e saj.

Kampionja e xhudos, Majlinda Kelmendi, gjithashtu pati një urim të veçantë.
“Të punojmë shumë dhe të na shtohen sukseset në çdo fushë. Urime pavarësinë të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, uron Kelmendi.

As fitueset e medaljeve olimpike të Tokio 2020, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi gjithashtu nuk munguan në videon e veçantë të MKRS-së.
“Bashkë po rritemi dhe Kosovën tonë po e bëjmë të njohur në të gjithë botën. Urime Kosovë”, urojnë Nora dhe Distria.

Regjisorja e filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli, nuk la pa përmendur sukseset e shumta të kinematografisë vitin e kaluar në urimin e saj të veçantë për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Urime Pavarësinë Kosovë, 14 vjet shtet. Viti i kaluar ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë. Uroj që vitet e ardhshme të jenë edhe më të suksesshme, kemi edhe shumëçka për të treguar”, tha Blerta Basholli.
© Panoramaplus.al

