“Pa heqjen e imunitetit të Lubisë nuk ka luftë kundër korrupsionit”- Berisha: Rama të thirret për dosjen “Balluku”! Nisma e tij me Vuçiç ka ngjallur përçmim në Evropë

Apr 3, 2026 | 12:51

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se pa i hequr imunitetin Belinda Ballukut nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit.

Në konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se përpjekjet për të “arkivuar dosjen Balluku”, që ai e cilëson de facto si “dosja Rama”, përbëjnë një nga shkeljet më të rënda ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë, si në planin personal ashtu edhe në atë kombëtar.

“Shqipëria, ëndrra evropiane e saj, procesi më thelbësor për të ardhmen e vendit, vazhdon të mbahen peng nga Edi Rama dhe Lubi Balluku. Përpjekjet për ta arkivuar dosjen Balluku, de facto dosjen Rama, janë përpjekjet më kriminale, përpjekje të cilat shkelmojnë interesat personale, shoqërore dhe kombëtare të çdo shqiptari.

Edhe njëherë, është goditja më e rëndë që i bëhet interesave të shqiptarëve në dy aspekte. Së pari, lufta kundër korrupsionit merr fund. Pa dënimin, pa heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit. Pa thirrjen e Edi Ramës për të gjithë ato që mban dosja Balluku, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit. Pa ndëshkimin e korrupsionit dhe përgjegjësinë e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë hap drejt BE. Edhe njëherë, raporti IBAR është shtyrë tre herë gjatë muajit mars.

Po bëhet gjithnjë më i madh numri i vendeve që kundërshtojnë në mënyrë të prerë të votojnë IBAR-in. IBAR-i është raporti i vlerësimit të standardeve dhe luftës kundër korrupsionit. Votimi i këtij raporti është kusht që kapitujt e tjerë të mund të mbyllen dhe ky votim është i ndërmjetëm, nuk është përfundimtar për dy kapitujt, 23 dhe 24, kapitujt për shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut”, tha Berisha.

Po ashtu kreu i PD, komentoi sërish nismën Vuçiç-Rama për integrimin në BE, duke thene se kjo nismë ka ngjallur përçmim në Evropë.

“Mund të them se ka ngjallur përçmim të madh nisma Vuçiç-Rama në Europë. Është kuptuar si një përpjekje e dy pengmarrësve të vendeve të tyre, që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pushtetit të tyre. Edhe vende të cilat kanë një skepticizëm të qartë në procesin e zgjerimit të BE, dëshmojnë mospajtim të plotë me këtë nismë të ndërmarrë nga dy diktatorë autoritarë, nga dy individë të lidhur këmbë e kokë me krimin, me bandat dhe trafiqet. Pra, nisma Vuçiç-Rama po përfundon aty ku e ka vendin. Ka ngjallur përçmim dhe ka dëshmuar se këta dy zyrtarë nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të tyre kriminale dhe të xhepit”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura