Opozita bojkoton Këshillin Bashkiak

Oct 13, 2011 | 12:21

Pikërisht në ditën kur Shqipërisë iu refuzua për herë të dytë statusi i vendit kandidat për në BE si pasojë e ngërçit politik, opozita braktisi mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Që në fillim, mbledhja e djeshme nisi me debate mes kryetarit të grupit të Partisë Socialiste, Aldrin Dalipi dhe kreut të Këshillit, Njazi Kosovrasti. Përplasja u bë për mënyrën si u votua për rendin e ditës dhe mandatimin e dy këshilltarëve të rinj, të cilët, sipas PS-së, ngritën kartonët edhe pse nuk kishin marrë ende mandatin si këshilltarë. Këshilli Bashkiak përbëhet nga 55 anëtarë, 28 prej të cilëve i përkasin koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin” dhe 27 koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen”. Përpara se të mandatoheshin dy këshilltarët e rinj, maxhoranca kishte 26 anëtarë, por votimit për rendin e ditës iu shtua edhe ajo e Enver Reçit nga PSV 91, pjesë e koalicionit të majtë. Pavarësisht numrave, këshilltarët e majtë kundërshtuan procedurën. “Po shkelni ligjin, rregulloren. Po votojnë këshilltarë që nuk kanë marrë mandatin. Këta nuk mund të votojnë. Por s’keni faj, jeni mësuar në KQZ. Kërkuam të futet në rendin e ditës diskutimi për dy gra të Bashkisë, të cilat janë dhunuar. Ju nuk e pranoni, dhe kjo përbën skandalin e radhës”, tha Dalipi, duke iu drejtuar Kosovrastit. Në replikë, Kosovrasti tha se votat e këtyre këshilltarëve nuk u numëruan. ”Nuk mund të merrni fjalën me dhunë, nuk ju është dhënë fjala. Është çdo gjë brenda rregullave, pasi votat e dy këshilltarëve të rinj nuk u numëruan, por ne prapë jemi në maxhorancë, sepse është edhe vota e zotit Enver Reçi. Prandaj ju po përpiqeni të nxisni një konflikt të kotë”, tha Kosovrasti.
Pas debatit, mbledhja u ndërpre për disa minuta, ku përfaqësuesit e opozitës dhe ata të maxhorancës vijuan debatet. Më tej, këshilltarët socialistë u larguan nga mbledhja. Pavarësisht kësaj, ata qëndruan për të paktën 30 minuta në hyrje të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që në korridore, përfaqësuesit e dy kampeve po bënin qartazi tentativa për ta rikthyer mbledhjen në normalitet. Përfaqësuesit e opozitës u futën sërish në sallën e Këshillit në momentin kur hyri kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Pasi ky i fundit kërkoi të zbuteshin gjakrat, edhe tonet e opozitës ranë, ndonëse nuk ndryshoi qëndrim. “Kërkoj të  respektojmë procedurën, të shtojmë bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Shpreh keqardhjen për qëndrimin tuaj dhe shpresoj që ai  mos të jetë parathënia e vendimit të përhershëm të bojkotit. Mbetemi të hapur për një bashkëpunim. Më lejoni t’ju bëj ofertën që të paraqisni propozimin tuaj për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate. Merrni kohën që ju duhet, pasi mendoj se ka vend për bashkëpunim. Është dita që t’u japim shembull qytetarëve të Tiranës se praktikat e bojkotit kanë marrë fund”, u tha Basha këshilltarëve të majtë. Kryetari i grupit të PS-së, Aldrin Dalipi,  theksoi gjithashtu se Këshilli ka për qëllim të mbrojë interesat e qytetarëve nga të gjithë përfaqësuesit. “Kjo është arsyeja pse ne nuk do të jemi pjesë e kësaj mbledhjeje. U krijuan rrethana që nuk janë në interes të qytetarëve. U votua në mënyrë të jashtëligjshme dhe  ne nuk mund të jemi pjesë e kësaj mbledhjeje”, tha Dalipi. Në fund të mbledhjes, me 29 vota u miratuan të gjitha vendimit e propozuara.

Institucionet
Kreu i grupit të PS, Aldrin Dalipi:
Po shkelni ligjin rregulloren. Po votojnë këshilltarë që nuk kanë marrë mandatin. Këta nuk mund të votojnë. Por s’keni faj, jeni mësuar në KQZ. Nuk jemi babagjysha ne këtu. Jemi zgjedhur njësoj si ju. Kërkuam të futet në rendin e ditës diskutimi për dy gra të Bashkisë, të cilat janë dhunuar, ju nuk e pranoni, dhe kjo përbën skandalin e radhës.
Kreu i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti: Nuk mund të merrni fjalën me dhunë, nuk ju është dhënë fjala. Është çdo gjë brenda rregullave, pasi votat e dy këshilltarëve të rinj nuk u numëruan, por ne prapë jemi në maxhorancë, sepse është edhe vota e zotit Enver Reçi. Prandaj ju po përpiqeni të nxisni një konflikt  të kotë
Kreu i grupit të PD, Ferdinand Poni: Qëllimisht këshilltarët e majtë kërkojnë të dëmtojnë dhe të mos lejojnë votimin e rendit të ditës. Për këta ka një tjetër rend dite, pasi që në fillim erdhën me këtë frymë. Propozoj që mbledhja të vazhdojë, pasi është brenda rregullave. Socialistët e kanë praktikë të tyren dhunimin e ligjit dhe të rregullave në Bashki”.
Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha: Të gjithë në këtë Këshill do të kenë mundësi të shprehen. Ju kërkoj respekt për qytetarët e Tiranës. Le të japim një shembull, që nuk jemi një ditë më larg Bashkimit Europian, por një ditë më pranë tij. Ju kërkoj të ulim gjakrat. Më lejoni t’ju bëj një ofertë. Nëse shqetësimi juaj bazohet në mandatin e dy anëtarëve të rinj, merrni kohën që ju duhet dhe jepni propozimin tuaj. Mendoj se ka vend për bashkëpunim.

Do denoncojmë procedurën, çdo vendim i marrë është nul
Përfaqësuesit e PS-së i cilësuan të pavlefshme ligjërisht të gjitha vendimet që u morën dje nga Këshilli Bashkiak. Madje, sipas tyre, do të nisë procedimi penal për situatën e krijuar. Pas largimit nga mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak që pas konstituimit, këshilltarët e koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen” u mblodhën në selinë e Partisë Socialiste për të hartuar dhe artikuluar qartë qëndrimin e tyre. Edhe këtë herë ka qenë kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, i cili, në prani të këshilltarëve të tjerë, ka lexuar vendimin e marrë këtë të mërkurë, pas replikave në Këshillin Bashkiak. “Në mbledhje u përballëm me arrogancën e një maxhorance të dalë nga votat e vjedhura të 8 majit. Sot u ushtrua presion duke na dhënë një skemë të deformimit të rregullores së Këshillit. Në votimin e parë: rendi i ditës përcaktohet në jo më pak se 8 ditë para mbledhjes. Por sot u paraqitën vendime të pashqyrtuara nga këshilltarët e djathtë dhe të majtë. Së dyti, votuan 2 këshilltarë që ende nuk kishin marrë mandatin”, tha Dalipi. Ai shtoi se   në kohën kur këshilltarët e Aleancës për të Ardhmen ishin mbledhur për diskutim në grup, në sallë u krye votimi për dhënie mandatesh, ndërkohë që rregullorja thotë se për këtë duhen të paktën 28 vota. “Shprehim keqardhje për gjithçka, pasi ne duam të ndikojmë në cilësinë e jetës së qytetarëve, por jo duke shkelur ligjet. U bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit të kthehet diskutimi me opozitën në bazë të rregullores dhe ligjit. I kërkojmë Kosovrastit, i cili e inicioi gjithçka që nga fillimi, t’i kthehet ligjshmërisë së Këshillit”, tha Dalipi.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura