Detajet se si luftëtarët kurdë do të merrnin pjesë në planin për përmbysjen e regjimit iranian, i cili u përgatit nga Mossadi duke përdorur ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad si një “kalë trojan”, u raportuan nga stacioni televiziv izraelit Channel 13.
Konkretisht, plani, i koduar “Maçoku me çizme”, i cili fillimisht u mbështet nga Uashingtoni , parashikonte që sulmet izraelite do të godisnin pozicionet e Gardës Revolucionare përgjatë kufirit Iran-Irak, në rajonin e Kurdistanit iranian.
Qëllimi i bombardimeve ishte të krijohej një rrugë për luftëtarët kurdë që të hynin në territorin iranian dhe të përparonin drejt qyteteve kurde në veriperëndim të vendit.
Sipas raportit, Mossadi vlerësoi se mijëra të rinj kurdë do t’u bashkoheshin këtyre forcave, duke krijuar një lëvizje masive që mund të arrinte deri në Teheran.
Faza tjetër e planit parashikoi miliona protestues që do të dilnin në rrugë, duke çuar përfundimisht në rënien e regjimit iranian.
Roli kyç i Ahmadinejadit
Fronti kurd ishte një shtyllë kyçe e planit, i cili, sipas Channel 13, parashikonte që ish-presidenti i linjës së ashpër të Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, të merrte përfundimisht kontrollin e vendit.
Në të njëjtën kohë, gazeta New York Times raportoi në artikullin e saj të djeshëm se Izraeli kishte ndërmarrë një përpjekje shumëvjeçare për të kontaktuar dhe për ta sjellë Ahmadinejadin përsëri në pushtet në Teheran.
Sipas gazetës amerikane, si pjesë e kësaj përpjekjeje, një takim midis ish-presidentit të Iranit dhe kreut të atëhershëm të Mossadit, David Barnea, u zhvillua në vitin 2024 në margjinat e një konference akademike në Hungari.
Planet u braktisën
Raporti pohon gjithashtu se, me shpërthimin e luftës, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulme të gjera kundër forcave iraniane të sigurisë në veriperëndim të vendit, duke goditur zyrtarët e regjimit, bazat ushtarake, sistemet e raketave, stacionet e policisë dhe objektet e milicisë Basij, me qëllim lehtësimin e përparimit të forcave kurde.
Megjithatë, sipas Channel 13 , rrjedhjet e informacionit në media, presioni i ushtruar nga Turqia dhe ngurrimi i vetë kurdëve në fund të fundit e çuan Uashingtonin të tërhiqte mbështetjen e tij për planin, me rezultat që ai nuk vazhdoi dhe zbatimi i tij mbeti në letër.
© Panorama.al













