Operacioni i SPAK për mashtrimet në Call Center-a, Berisha: Gazetarët e Le Iene dhanë informatat, por u dekonspiruan nga policia

Jan 19, 2026 | 10:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi operacionin e SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane kundër Call Centerave mashtrues në Shqipëri, ku u arrestuan 6 persona dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë.

Pasi doli nga SPAK, ku ishte për masën detyrim paraqitje, kryedemokrati akuzoi policinë se ka dekonspiruar operacionin dhe punën e bërë nga gazetarët italianë të emisionit “Le Iene”.

Sipas Berishës, kjo veprimtari kriminale mbikëqyrej nga policia dhe se për çdo qendër ku ushtrohej ky aktivitet, u jepeshin tarifa zyrtarëve të policisë që të “mbyllnin sytë”.

“Dështuan operacionin dyvjeçar, nuk e dështuan plotësisht se nuk arritën, por dekonspiruan operacionin dyvjeçar të një grupi gazetarësh hetimorë ndër më të shkëlqyerit në Europë. Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë. Janë dyqind sipërmarrje, të cilat të patronuara siç dihet nga Olsi Rama, ortaku i Amant Josifit, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe call-centeri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim.

Kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narko-policisë. Njëlloj si dikur, për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme, se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifa zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së tillë ku mashtrohen dhe vidhen qytetarët e vendeve të tjera. Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë, ku u thuhet sille shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do gjejmë kaq, etj me radhë. Është pra kjo veprimtari e shtetit mafioz.”, tha Berisha.

Më tej, ai theksoi se puna dy vjeçare e gazetarëve italianë mbi hetimet, me fotot dhe videot, shkoi dëm pasi kur autoritetet shkuan zyrat ishin të boshatisura dhe se i kishin hequr të gjitha kompjuterët. Kjo, sipas tij, tregon edhe një deklaratë të bërë nga një Prokuror italian se në Shqipëri të dekonspirojnë çdo gjë.

“Kati i 13-të ku agjentët e Hijenës kanë punuar dy vite aty dhe u kanë dhënë çdo informatë ekipit që hetonte, kanë të gjitha fotot dhe videot, dhe dokumentet për veprimtarinë, ata kur shkuan e gjetën të boshatisur dhomën sepse kishin hequr të gjithë kompjuterët. Çka vërteton edhe njëherë deklaratën e prokurorit të antimafies të Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narko-shtet.

Është më keq se narko-shtet, thotë, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. E pamundur të sosësh një hetim. Ja, ky është fakti se kur autoritetet gjermane sollën për Amant Josifin dokumentet dhe doli Olsi Rama patron i tij, Altin Troplini nuk hapi çështje penale ndaj tij.

Kur Amant Josifi e gjetën autoritetet spanjolle se ishte në Dubai, Amant Josifi përsëri nuk u shpall në hetim nga Altin Troplini sepse ishte ortak me të Olsi Rama. Pra, kjo quhet një veprimtari kriminale e gjeneralizuar e narko-shtetit.”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura