“Nvidia” bën histori, kompania e parë që kalon vlerën e 5 trilionë dollarëve në treg! E gjitha falë Inteligjencës Artificiale

Oct 29, 2025 | 16:57

Kompania “Nvidia” bëri histori të mërkurën (29 tetor), duke tejkaluar 5 trilionë dollarë në vlerë tregu, një arritje e nxitur nga një rritje mahnitëse që çimentoi vendin e saj në qendër të bumit global të inteligjencës artificiale. Ajo u bë kompania e parë në botë që kaloi këtë shifër.

nvidia

Ky moment historik nënvizon transformimin e shpejtë të kompanisë nga një prodhues i procesorëve grafikë të specializuar, në një gur themeli të industrisë globale të inteligjencës artificiale.

Gjithashtu e ngre CEO-n, Jensen Huang, në një ikonë të Silicon Valley dhe i kthen çipat e përparuar të kompanisë në një element qendror të përballjes teknologjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Që nga lançimi i ChatGPT në vitin 2022, çmimi i aksioneve të Nvidia është rritur 12-fish, ndërsa tërbimi i inteligjencës artificiale e ka shtyrë S&P 500 në nivele rekord, duke shkaktuar spekulime se vlerësimet e fryra të gjigantit të teknologjisë mund të jenë fillimi i një “flluske” të re.

Rekordi i ri, i cili vjen vetëm tre muaj pasi u thye kufiri prej 4 trilionë dollarësh, shënon një vlerësim më të madh se i gjithë tregu i kriptomonedhave dhe gati gjysma e indeksit evropian Stoxx 600.

“Në planin afatgjatë, ne presim që gjigantët e teknologjisë të kërkojnë zgjidhje alternative ose të brendshme për të zvogëluar varësinë e tyre nga Nvidia për inteligjencën artificiale. Megjithatë, këto përpjekje do të kenë sukses, në rastin më të mirë, në kufizimin, por jo në zhvendosjen e dominimit të Nvidia”, komentoi Brian Colello, analist i lartë i aksioneve në “Morningstar”.

© Panorama.al

Te lidhura