“Nuk ka hapësirë dhe debat, mungon transparenca”- Bardhi: Kërkesat e opozitës mbeten pa përgjigje, Kuvendi dhe shumica po shmangin llogaridhënien!

Mar 27, 2026 | 17:01

Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po zhbën institucionin e Parlamentit me qëllimin e vetëm që të shmangë kontrollin dhe dhënien e llogarisë, teksa renditi edhe problematikën e bllokimit të kërkesave të opozitës që nga interpelancat dhe Komisionet Hetimore, deri tek mocionet për debat.

gazment bardhi

Kjo deklaratë e deputetit u bë gjatë takimit në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues”, e organizuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri dhe Westminster Foundation for Democracy.

“Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisë refuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen”, u shpreh ligjvënësi opozitar, teksa e ndau fjalën e tij edhe gjatë një postimi në rrjetin social Facebook.

Bardhi përmendi kufizimin e hapësirës së debatit, mungesën e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimin e shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Gjatë fjalës time në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues”, të organizuar nga Ambasada Britanike dhe ËMF për Demokraci, ndër të tjera theksova se:

Demokracia nuk është një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ajo është një proces që kërkon vigjilencë të përditshme, institucione të forta dhe mbi të gjitha vullnet politik për të respektuar rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Roli i Kuvendit të Shqipërisë është kyç në këtë drejtim. Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria, por një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje. Në këtë kuptim, opozita nuk është pengesë, por një komponent i domosdoshëm i një demokracie funksionale. Një opozitë e fortë dhe e dëgjuar garanton balancën e pushteteve dhe mbron interesin publik.

Megjithatë, realiteti që përjetojmë shpesh na tregon se ky rol nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ushtruar. Sfida të tilla si kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv, dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucioni dhe cenojnë interesin publik.

Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisë refuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen”.

© Panorama.al

Te lidhura