“Nuk do të ndahemi kurrë prej Ali Khameneit”- Kreu i Gardës Revolucionare shfaqet për herë të parë në publik pas muajsh

Jul 3, 2026 | 13:57

Ahmad Vahidi bëri paraqitjen e tij të parë publike që nga nisja e operacionit ushtarak në shkurt, duke marrë pjesë në ceremonitë mortore për ish-udhëheqësin suprem të Iranit.

irani

Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ahmad Vahidi, është shfaqur për herë të parë në publik që prej nisjes së operacionit ushtarak “Epic Fury” në fund të shkurtit.

Mediat shtetërore iraniane publikuan pamje nga Teherani, ku Vahidi mori pjesë në ceremonitë mortore për ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei, duke qëndruar pranë arkivolit të tij dhe duke mbajtur një fjalim para të pranishmëve.

Në deklaratën e tij, kreu i IRGC-së u shpreh se figura e Khameneit do të mbetet përgjithmonë pjesë e identitetit të Iranit.

“Ne nuk do të ndahemi kurrë prej tij. Ai është i pandashëm nga zemrat, shpirtrat dhe jetët tona. Do të mbetet gjithmonë me ne, me Iranin tonë të dashur dhe me të gjithë umetin mysliman.”

Vahidi shtoi se ata që, sipas tij, synojnë të godasin Iranin duhet ta dinë se “gjaku i martirëve do të shndërrohet në burim të fitoreve të reja”, duke theksuar se populli iranian po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, trupi i Ali Khameneit është vendosur në mauzoleumin e Imam Khomeinit në Teheran, ku qytetarët do të kenë mundësi t’i bëjnë homazhe për tre ditë.

Në të njëjtën ceremoni ndodhen edhe arkivolet e disa anëtarëve të familjes së tij që humbën jetën gjatë sulmeve, ndërsa në sallë mbizotëron një atmosferë zie.

Funerali i Khameneit është planifikuar të mbahet më 9 korrik në qytetin e tij të lindjes, Mashhad, disa muaj pasi ai u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite të nisura në fund të shkurtit.

Ceremonitë mortore kanë nisur tashmë në mbarë Iranin, ndërsa autoritetet iraniane i kanë shndërruar ato edhe në një mesazh uniteti dhe sfide ndaj Perëndimit, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.

© Panorama.al

Te lidhura