Deputeti i partisë Demokratike, Flamur Noka, tha nga foltorja e Kuvendit në një moment replike me kreun e grupit të PS, taulant Balla, se drejtësia në Shqipëri pas reformës së dështuar ka fytyrën e Irena Gjokës, të cilën e quajti edhe “delinkuente dhe faqezezë”, si dhe renditet pas Vietnamit Komunist.
Ligjvënësi bëri edhe ironi me deputetin Balla, duke i kujtuar se ai mund t’u mësonte njerëzve se si të bëheshin trafikantë droge dhe intelokutorë të karteleve. Deklarata e tij solli edhe ndërhyrjen e nënkryetares së Kuvendit, që po drejtonte seancën, Klodiana Spahiu, e cila kërkoi t’i përmbahej procedurës.
“Meqë e kishe me merak që sot të na tregojë e mësoje rregulloren, ti, kush ka nevojë të dijë se si bëhet trafik droge, duhet të vijë të marrë leksione të ty. Kush ka nevojë të mësojë si të bëhesh intelokutor i bandave e krimit të organizuar, duhet të vijë te ty”, tha Noka.
“Zoti Noka, ju lutem. Ndërpriteni…”, ndërhyri Spahiu.
“Jo, jo, prit…”, kërkoi të vijonte deputeti, por iu ndërpre fjala.
“Zoti Noka, ju lutem, jo kështu, nuk është për procedurë, nëse keni për procedurë… për cilën çështje”, i tha nënkryetarja.
“Hapeni, mos u bëni dhe ju kamikazë…!”, tha deputeti duke iu drejtuar teknikës së zërit të Kuvendit.
Pas një pauze dhe heqjes së mikrofonit, Noka vijoi pasi kërkoi më shumë kohë, duke analizuar Indeksin Global për drejtësinë në Shqipëri.
“Drejtësia juaj renditet pas Sri Lankës, Uzbekistanit, Indisë, jo, prit, prit, (i drejtohet Braçes që ndërhyn nga vendi). E them prapë, drejtësia juaj renditet pas Vietnamit komunist. Ky është Indeksi Global për Shqipërinë, qeveri e mbyllur, pa të drejta njeriu, drejtësia dhe rendi në dorë të karteleve dhe Irena Gjokës, delinkuentes e faqezezës së drejtësisë, ajo është fytyra juaj. Shikoni renditjen e rajonit. Kjo është drejtësia juaj tani, drejtësia e Irena Gjokës dhe nuk e thotë PD, por raporti”, tha deputeti i PD-së.
© Panorama.al












