
Gjykata amerikane deklaroi fajtorë për dhjetë akuza dy shqiptarët Bruno e Sajmir Krasniqi dhe i dënoi ata përkatësisht me nga 60 vjet burg. Njoftimi është bërë dje nga prokurori i FBI, Preet Bharara, pas përfundimit të gjykimit ndaj dy shqiptarëve të akuzuar si krerë të organizatës kriminale “Krasniqi”, e cila ka vepruar kryesisht në Nju Jork. Sipas njoftimit të FBI-së, liderët e grupit të dhunshëm kriminal u dënuan për krime të shumta, duke përfshirë shantazh, vrasje, konspiracion për vrasje, rrëmbim personi, trafikim të narkotikeve, zjarrvënie, grabitje, pengim të Drejtësisë, transport ndërshtetëror të narkotikeve dhe posedim e përdorim të armëve të zjarrit. Bruno e Sajmir Krasniqi u gjetën fajtorë nga një juri e kryesuar nga gjykatësi

amerikan Richard J. Holvvell. Prokurori i FBI, Preet Bharara, tha: “Bruno dhe Saimir Krasniqi udhëhoqën një nga bandat më brutale dhe të dhunshme të kohëve të fundit. Në një periudhë prej gjashtë muajsh, ata akuzohen se kanë kryer dy vrasje, dy rrëmbime, dy plaçkitje të drogës dhe një zjarrvënie. Pas vendimit të gjykatës, prokurori tha se mori fund fushata e terrorit të ushtruar nga banda “Krasniqi” me krimet e saj. Kontribut në këtë vendim ka dhënë edhe shtetasi Almir Rrapo, ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Tiranë, i ekstraduar në SHBA pas arrestimit në korrik 2011. Ai bashkëpunoi me autoritetet amerikane pasi u pendua, duke dhënë hollësi për krimet.
Krimet e bandës shqiptare
Një nga krimet me të rënda për të cilat prokuroria i ka akuzuar vëllezërit Krasniqi ka qenë vrasja e Erion Shehu më 17 korrik 2005. Në vazhdën e krimeve që kanë kryer në Nju Jork, Michigan dhe Connecticut, Bruno e Saimir Krasniqi u dënuan për dy vrasje të veçanta. Më 17 korrik 2005, Erion Shehu, një anëtar i një bande rivale të drogës, u vra jashtë një kafeneje në Queens. Sipas hetimit, Bruno Krasniqi dhe një tjetër anëtar i organizatës e kanë qëlluar Erion Shehun rreth 11 herë me një pistoletë 9 mm gjysmë-automatike. Shehu vdiq nga plagë të shumta menjëherë pas kësaj. Për këtë vrasje është akuzuar edhe Almir Rrapo si i pranishëm në krim për çka u arrestua në Tiranë në 2011. Vrasja e Erion Shehut ishte rezultat i një beteje për terren mes bandave rivale të drogës, përfshi Krasniqin dhe grupin ku bënte pjesë viktima. Organizata “Krasniqi” kishte grabitur më parë një anëtar të bandës rivale me rreth 20 kilogramë marijhuanë. Rreth dy javë para vrasjes së Erion Shehut, anëtarë të organizatës “Krasniqi”, përfshi edhe Bruno e Saimir Krasniqin, kanë rrëmbyer një tjetër anëtar të bandës rivale të drogës, shtetasin Neritan Kocareli. Ata e kërcënuan pengun me vrasje nëse nuk i jepte informacion për vendndodhjen e anëtarëve të tjerë të bandës rivale, si dhe për vendndodhjen e drogës. Më 13 janar 2006, vëllezërit Krasniqi ekzekutuan shtetasin Erenick Grezda, një anëtar i organizatës së tyre. Ata e akuzuan atë se u kishte vjedhur marijhuanë me vlerë 250 mijë dollarë. Grezda është qëlluar dy herë në kokë, ndërsa ai ishte ulur në një SUV që i përkiste një tjetër anëtari të organizatës. Pas vrasjes, vëllezërit Krasniqi e çuan makinën në Nju Xhersi dhe i vunë zjarrin në përpjekje për të shkatërruar provat.
Akuzat për rrëmbime
Bruno e Sajmir Krasniqi u dënuan edhe për dy rrëmbime, veç akuzave të tjera. Në vitin 2003, anëtarët e organizatës “Krasniqi” kanë rrëmbyer një viktimë në Michigan dhe e kanë kërcënuar atë se do ta vrisnin, sepse ata besonin se ai nuk kishte respektuar një nga anëtarët e tyre. Në korrik 2005, anëtarët e organizatës “Krasniqi” rrëmbyen dhe qëlluan një viktimë në Staten Island, si pjesë e një mosmarrëveshje me një bande droge shqiptare. Dy Krasniqët ishin dënuar edhe për komplot për të shpërndarë më shumë se 100 kilogramë marijhuanë, komplot për të kryer grabitje, si dhe dy akuza të armëmbajtjes e përdorimit të armëve të zjarrit.
Rrapo u pendua në SHBA
Bruno Krasniqi dhe Saimir Krasniqi u dënuan me nga 60 vjet burg, ndërsa në procesin ndaj tyre dëshmoi edhe Almir Rrapo, person i ekstraduar nga Shqipëria pas arrestimit në Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Prokurori amerikan falënderoi Shqipërinë për ekstradimin e Almir Rrapos, i akuzuar në lidhje me organizatën kriminale “Krasniqi”, përfshi vrasjen e Erion Shehut, rrëmbimin e Neritan Kocareli dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Rrapo u deklarua fajtor për shantazh, vrasje, grabitje, trafik të narkotikeve, armëve të zjarrit dhe u trajtua në gjyq në bazë të një marrëveshjeje bashkëpunimi me qeverinë.











