Turqia tha sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot është vendosur në juglindje, pranë një baze radarësh të NATO-s, si pjesë e hapave për të rritur mbrojtjen ajrore përballë kërcënimeve raketore nga lufta me Iranin.
Ajo po vendoset në provincën Malatya, vendndodhja e bazës së radarëve Kurecik të NATO-s, e cila ofron të dhëna jetike për aleancën dhe ndihmoi në identifikimin e dy raketave balistike iraniane që prekën hapësirën ajrore turke gjatë javës së fundit, ndërsa rajoni i Lindjes së Mesme është ndezur nga tensionet.
“Përveç masave që marrim në nivel kombëtar, janë rritur masat e mbrojtjes ajrore dhe raketore nga NATO. Në atë kuadër, një sistem Patriot po vendoset në Malatya për të kontribuar në mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore”, tha ministria e mbrojtjes së Turqisë në një deklaratë për mediat.
Irani ka thënë se nuk është në luftë me vendet e rajonit dhe mohon të ketë shënjestruar në mënyrë eksplicite fqinjin e tij Turqinë. Nga ana tjetër, Ankaraja ka paralajmëruar Teheranin që të mos lëshojë më raketa ndaj tij dhe presidentët e dy vendeve diskutuan këtë çështje të hënën.
© Panorama.al












