VIDEO- “Mos e lidhni me Ballukun, rasti i saj ka rrugën e vetë!”- Rama: Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për të goditur shumicën

Feb 16, 2026 | 9:38

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku po prezantohet një nismë ligjore për ndryshime në ligjin që rregullon pezullimin e zyrtarëve të lartë, është shprehur se nisma, sipas tij, nuk lidhet me pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku me vendim të GJKKO, nga funksionet e saj.

“Kush e lidh këtë me rastin konkret bën një gabim shumë të madh, sepse nuk ka lidhje”, tha Rama, ndërsa shtoi se rasti i Belinda Balluku ka rrugën e vet në gjyqësor, por për PS-në pezullimi i saj është i papranueshëm.

“Ky rast ka rrugën e vet, por pezullimi është i papranueshëm. Ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend, brenda territorit kushtetues. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për të goditur shumicën.”, tha ai.

Rama argumetoi se PS nuk do pajtohet me goditjen e vazhdueshme të burimeve njerëzore të vendit, bazuar në të ashtuquajturin “dyshim të arsyeshëm”.

“Kjo nismë thjesht dhe vetëm adreson boshllëkun mendor të shoqërisë sonë, që lidhet me faktin se fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të saj nuk mjaftojnë, praktikat e vendeve të ngjashme nuk mjaftojnë, prandaj duhet të bëhet neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë mundësi interpretimesh në boshllëk. Kjo është arsyeja pse do bëjmë këtë ndryshim”, shtoi ai.

Rama: Ne jemi të pavarur në të drejtën për të marrë vendime. Vendimet tona janë sovrane dhe nuk ka prokuror dhe nuk ka gjykatës që t’i vërë në diskutim dot, përsa kohë janë vendime të cilat nuk  burojnë nga qëllime të pashpallura. Dhe ai pushtet i pavarur prej nesh, është pikërisht për të vigjiluar nëse vendimet tona janë vendime, të cilat burojnë vetëm nga qëllimet e shpallura.

Për të vigjiluar bazuar mbi prova dhe mbi fakte, jo për të vigjiluar bazuar në vënien në dyshim të çdo vendimi  dhe në marrjen e vendimit të pezullimeve si të ishin simite njerëzit që pezullohen. Dhe këtu nuk kam fare parasysh rastin konkret të qeverisë, kam parasysh një sërë drejtuesish të agjencive shtetërore që janë pezulluar pa asnjë arsye., duke bërë pezullimin e institucionit, psikologjikisht në këtë rast, jo sepse nuk zëvendësohet dot drejtuesi sepse drejtuesit janë pezulluar, janë zëvendësuar por kjo histori e goditje së vazhdueshme të brumimeve njerëzore të këtij vendi dhe ta administratës së këtij vendi, bazuar në të ashtuquajturin në thonjëza, dyshim të arsyeshëm, është histori me të cilën unë personalisht nuk pajtohem dhe ne nuk mund dhe do pajtohemi, sepse cenohet pikërisht ajo që thashë territori i pavarësisë kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe territori i të drejtave dhe lirive të njerëzve, të cilët duhet të qeverisin dhe të administrojnë punët e këtij vendi.

Thënë të gjitha këto, kjo nisëm thjeshtë dhe vetëm adreson “boshllëkun mendor” të shoqërisë sonë po të doni që lidhet me faktin se për shkak se fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve të cilat ne u ngjajmë apo përpiqemi tu ngjajmë edhe më shumë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë, neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretimesh në boshllëk. Kjo është arsyeja pse ne e bëjmë këtë nen, këtë ndryshim.

Dhe kush e lidh këtë me rastin konkret bëni gabim shumë të madh, sepse kjo nuk ka lidhje me rastin konkret. Rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm dhe për këtë arsye siç e kam shpjeguar në takimin e mëparshëm, ne do merremi me pezullimin, për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend, ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv.

Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për ta goditur këtë shumicë qeverisëse. Kush e mendon kështu, e mendon shumë gabim. Ashtu si kundër askush nuk duhet ta mendojë se kjo masë apo të tjera masa që ne do të marrim në vijim kanë të bëjnë me ndonjë lëkundje të vullnetit tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Jo! Ne duam një drejtësi të pavarur.

Fatmirësisht e kemi sot aq të pavarur sa që, një prokuror në një rreth lëshon 33 masa arresti dhe harron të arrestojë vetëm veten e vet. Se përveç personit të prokurorit që ka lëshuar 33 masa arresti nuk ka mbetur askush pa u arrestuar. Pa filluar gjyqi akoma, arbitraritet total dhe fatmirësisht nuk jam unë që i them këto.

Unë jam thjeshtë një zë pasi këto thuhen dhe stërthuhen nga Këshilli i Europës, nga Komiteti për parandalimin e Torturës në Këshillin e Europës, nga raportet e Këshillit të Europës, ku Shqipëria për faqen më të zezë të të gjithë atyre që ia kanë vënë këtë njollë, renditet në fund fare të vendeve jo të Bashkimit Europian, po të gjithë kontinentit europian rrotë më rrotë me Rusinë për paraburgim pa gjyq të njerëzve si të ishin “mish për top”. 58% e njerëzve që sot janë mbrapa hekurave janë të paraburgosur.

© Panorama.al

Te lidhura