Moj unaza rreth flori!

Dec 4, 2011 | 12:11
Vjollca Sallaku duke prezantuar punimet e saj, Në dy fotot e tjera, duke punuar në makineritë e përpunimit të floririt dhe argjendit

Me punimet e saj artizanale të floririt ka “martuar” thuajse gjysmën e Tiranës. Rrethi klasik i simbolit të fejesës apo martesës mes shumë çifteve shqiptare ka kaluar fillimisht përmes duarve të saj të arta. Nga mosha 14-vjeçare e sot pas 40 vitesh që e ushtron këtë profesion, Vjollca Sallaku nuk e kursen vlerësimin për punën e saj të përditshme, pa harruar njëherësh edhe vështirësitë

Këmbëngulja e të atit do e lidhte përjetësisht me një profesion që as e kishte imagjinuar. Si një nxënëse e shkëlqyer, kish menduar se nga bankat e shkollës do të hidhej në auditorët e Fakultetit të preferuar të Gjuhë-Letërsisë. Por, fati do e përplaste tjetërkund. Familja e madhe me gjashtë fëmijë nuk mundej të mbështeste financiarisht nevojat e të gjithëve, andaj babai i Vjollcës vendosi në emër të së bijës, se për të do të ishte më mirë përvetësimi i një zanati. Dhe llogaria nuk i doli keq. Prej moshës 14-vjeçare kur preku për herë të parë arin dhe argjendin në ndërmarrjen asokohe “Riparim Shërbime”, nuk iu nda më këtij profesioni. Në këmbim të punës që kryen, nuk merr vetëm vlerësim financiar, por edhe vlerësimin e klientëve që nuk reshtin së komentuari “veprën” e saj të radhës. Herë një unazë martese, herë një gjerdan për qafën apo byzylyk, janë krijime artizanale që dalin nga duart e Vjollca Sallakut, argjendares së njohur në kryeqytet, që ndan me ne përvojën e gjatë në këtë profesion. Dhe kur thotë se ka martuar gjysmën e Tiranës, e ka seriozisht!
**
Gjithçka kalon përmes punimit artizanal me dorë dhe ndihmës së makinerive të posaçme që u japin formë modeleve të dëshiruara. “Mendoj se për femrat është një profil pune disi i vështirë që kërkon shumë fantazi, forcë fizike dhe përqendrim absolut. Njëherësh është e lodhshme, sepse më duhet të qëndroj mbi tavolinën e punës me trupin e kërrusur, me qafën e kokën e ulur poshtë gjatë gjithë kohës. Çdo gramë floriri apo argjendi e kaloj nëpër duar. Pasi bëj shkrirjen e sasisë së floririt, bëj petëzimin e nevojshëm duke e punuar me dorë e pastaj në makineri. Duhet shumë durim në këtë proces, sepse floriri nuk është lëndë lehtësisht e përpunueshme. Pas shkrirjes e petëzimit, bëhet ngjitja e rrethit të unazës. Mandej, pastrimi me letër zumpara, shkëlqimi dhe procesi i fundit është ai i pastrimit. Vendoset në peshoren e gramaturës për ta peshuar dhe modeli është gati për t’iu prezantuar klientëve”, thotë Vjollca për suplementin “Unë Gruaja”. Prej 40 vitesh bën të njëjtën punë, por rutina ngjan se ende nuk ia ka sjellë në majë të hundës, për sa kohë nuk është dorëzuar. Rreket të kujtojë fillimet e këtij zanati, kur e detyruar nga kushtet e vështira ekonomike në familjen e madhe me gjashtë fëmijë, u përfshi në një punë krejt të panjohur, me të cilën nuk kishte asnjë lidhje, qoftë edhe trashëgimie. “Asokohe, të punoje me kësi lëndësh si floriri apo argjendi, ishte një punë luksi dhe tepër e lakmuar. Fillimisht nisa në ndërmarrjen e quajtur “Riparim Shërbime”. Puna me materiale të kushtueshme, siç është dhe ari, jo gjithmonë ishte e lehtë. Çdo gramaturë duhej llogaritur saktë, duhej taktikë e veçantë në përcaktimin e cilësisë së floririt dhe këtë e bëja përmes analizave. Punimi me dorë i lëndës së parë, dhënia e formës dhe nxjerrja e modelit të kërkuar duhet të bëhej me shumë mjeshtëri. Me shumë përkushtim dhe dëshirë për punën, munda të përvetësoj zanatin”, vijon 54- vjeçarja. Ka realizuar me qindra unaza klasike, rrathë fejese apo martese. Me gjithë prurjet e reja, të unazave me gurë solitarë apo të çmuar deri në diamante të shtrenjtë, ajo pohon se njerëzit nuk e kanë humbur dëshirën për të përqafuar tradicionalen, dhe floriri i verdhë është një nga këto. Shumë prej krijimeve të saj mbartin edhe histori në vetvete. Unaza me iniciale të gdhendura, me data përvjetori apo dedikime që klientët i kërkojnë sipas preferencave të tyre. “Gjithmonë në pjesën e brendshme të unazave nuk harroj të gdhend emrat e partnerëve, ndërsa kur është unazë martese datën e lidhjes së tyre në martesë. Të tjerë klientë, që e kanë bërë rrethin e martesës pasi janë bërë prindër, më kërkojnë që t’u gdhend emrat e fëmijëve. Më ka ndodhur para disa vitesh që një grua më troket në dyqan dhe më kërkon një model unaze, në pjesën e sipërme të së cilës të gdhendeshin inicialet e tre fëmijëve të saj. Në momentin e parë isha dyshuese, dhe ngurrova duke i thënë që nuk mund të ngarkohej kësisoj një unazë modeste. Por, ajo zonjë kishte një lidhje aq të ngushtë me fëmijët, për më tepër që ishin ata që i bënin dhuratë nënës së tyre një unazë, dhe me shumë mundim ia dola mbanë. Harkimi i germave mbi unazë doli aq identik, sa gruaja u emocionua shumë dhe nuk reshti së falënderuari”.  Mes situatave të këndshme ku vlerësimi nuk i ka munguar, përgjatë 40 viteve punë, Vjollca ka pasur edhe momente dyzimi. Shpeshherë ka menduar se natyra e profesionit të saj mund të kishte qëndruar më mirë nën kostumin e një mashkulli, kjo për shkak të vështirësive të kudogjendura. Makineritë e rënda të punës, rreziku i prerjes së ndonjë gjymtyre të dorës, në situata të caktuara e kanë vendosur Vjollca Sallakun përballë rreziqeve konkrete. Ashtu siç disa krijimeve u është rikthyer mbi 30 herë për t’i ripunuar, sepse modeli nuk i ka rezultuar ai i kërkuari. Me gjithë problematikat specifike, argjendarja e njohur e kryeqytetit nuk heq dorë nga pasioni për punën. Të paktën në prag të 60-tave është e bindur se stafetën e suksesit do ia kalojë të birit, Fatjonit. “Falë Zotit, im bir ma ka “vjedhur” zanatin vetëm duke më parë mua gjatë procesit të punës. I ka mësuar të gjitha sekretet e këtij profesioni dhe më vjen mirë që pas disa kohësh, kur të mos jem në gjendje të punoj vetë, do më zëvendësojë djali”, përfundon argjendarja.

Tendenca e bizhuterive për sezonin e dimrit 2011-2012
Përqafoni antiken!
Mes veshjeve të ngrohta të sezonit, bluzave golf që rrinë ngjitur pas trupit, pulovrave të mëndafshta dhe palltove të rënda, ka gjithmonë vend për aksesorë shoqërues të veshjes. Të tilla janë bizhuteritë, që shpalosen sipas tendencave të çdo sezoni, përmes prurjeve të momentit nga pasarelat e katalogjet e modës.
Prirja drejt antikes është trendi i përqafuar nga dizenjuesit e huaj të bizhuve. Si mund të dallojë një set bizhush mbi jakën e trashë të një pulovre, një shalli apo palltoje?!  Pikërisht me stilin e rëndë antik dhe ngjyrat e forta. Bizhutë, të stilit etnik apo fisnor, mbartin në vetvete jo vetëm një copëz histori, por mbi të gjitha, doza të theksuara të klasikes. Nuancat e së kuqes, të floririt dhe jeshiles, definitivisht do t’i japin më tepër shije dhe energji ditëve të acarta të dimrit, kur temperaturat e ulëta të ambientit bëjnë kërdinë. Jo vetëm ngjyrat, por prania e gurëve të çmuar në miniaturë, si rubini, topazi, safiri, apo opali do e rrisin vlerën e bizhuve të sezonit dimëror. Ato do të ngjajnë të mrekullueshme jo vetëm për stilin që prezantojnë, por edhe për faktin e thjeshtë: janë gjysmë të çmuara. Korali do të jetë një tjetër trend i sezonit. Si një material jo fort i kushtueshëm, bizhutë e këtij sezoni do të kenë në përmbajtjen e tyre këtë lloj guri që gjithmonë shndrin pamjen tuaj. Zgjidhni nuancën e kuqe ose rozë për një stil romantik dhe të bardhën ose blunë për një veshje casual.
Unazat e mëdha duhet të jenë në duart tuaja këtë dimër. Nuk ka rëndësi se firmën e kujt mbajnë. Mund të jenë në formën e luleve, të kafshëve në miniaturë, apo gurë të mëdhenj në forma abstrakte. Me këtë zgjedhje stili juaj do të jetë “in” me tendencat e fundit.
Nëse i referohemi byzylykëve, ato do të kenë një emërues të përbashkët: perlat. Si kryefjala e këtij sezoni dimëror, ato do të prezantohen si gjetje e spikatur e stilit klasik. Të kombinuara me një fustan, perlat do të qëndrojnë bukur në kyçin e dorës suaj. Por, nëse portofoli nuk jua përballon dot faturën e perlave natyrale që kushtojnë shtrenjtë, gëzojuni imitacioneve. Askush nuk do e shohë me kaq imtësi dallimin!

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura