Mjekët: Punonjësi i SHISH në koma për shkak të trombozës

Dec 13, 2011 | 14:14
Godina e SHISH në Tiranë

TIRANE – Punonjësi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Artan K., i cili ndodhet në gjendje kome prej tri ditësh në Spitalin Ushtarak, rezulton të ketë pësuar trombozë (mpiksje gjaku në tru). Komplikacioni, i cili fillimisht u dyshua se kishte shkak kriminal, sipas mjekëve dhe policisë është problem shëndetësor normal. Pasi kanë shqyrtuar analizat dhe ecurinë shëndetësore të pacientit gjatë terapisë intensive në reanimacion, mjekët kanë dalë në përfundimin që koma nuk ka ardhur nga ndonjë goditje në kokë, por nga mpiksja e gjakut. Në bazë të të dhënave që janë shënuar në kartelën mjekësore të 40-vjeçarit Artan K., bien poshtë pretendimet se ai mund të ishte goditur brenda ambienteve të godinës së SHISH-it. Burime nga Policia e Tiranës thanë se rreth orës 21:00 të datës 9 dhjetor, personeli i Spitalit Ushtarak ka njoftuar në Sallën Operative se ka shkuar me dëmtime në kokë shtetasi Artan K., banues në rrugën “Tre vëllezërit Kondi”. Gjithashtu, policia është informuar po nga stafi mjekësor se i dëmtuari ndodhet në gjendje kome dhe nuk ka mundësi për të dhënë shpjegime. Menjëherë pas njoftimit, një oficer i Komisariatit Nr. 2 ka shkuar në spital duke kontaktuar familjarët, të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen. Sipas të njëjtave burime, nga deklarimet që ka dhënë për policinë vëllai i të dëmtuarit, Krenar K., është arritur në përfundimin se ngjarja mund të jetë aksidentale. Sipas vëllait të punonjësit të SHISH-it, kanë qenë tre persona të panjohur që e kanë sjellë në shtëpi 40-vjeçarin mbrëmjen e së premtes, të cilët u kanë thënë familjarëve se Artani ishte në gjendje të dehur. Ata u kanë shpjeguar gjithashtu familjarëve se e kishin gjetur pa ndjenja në parkingun e brendshëm të Shërbimit Informativ Shtetëror. Për këtë arsye, duke mos dyshuar se i ka ndodhur ndonjë gjë e rëndë njerëzit e tij të afërm kanë lajmëruar një mjek që ta vizitonte në familje. Por kur kanë vënë re se ai nuk po përmendej, mjeku i ka këshilluar që ta dërgojnë në spital dhe më pas aty u është komunikuar se Artani ishte në gjendje kome. Mbrëmë mjekët kanë hedhur poshtë të gjitha dyshimet e ngritura rreth ngjarjes, qoftë përplasjen e kokës në tokë nga ndonjë rrezik i mundshëm, apo edhe ndonjë goditje nga persona të tjerë me ndonjë objekt të fortë. Sipas mjekëve, pacienti nuk ka goditje në kokë, por shkaku pse ai ka rënë pa ndjenja dhe ndodhet ende në gjendje kome, është një mpiksje gjaku në tru që shkaktohet nga tensioni i lartë i gjakut.

Hetimi për detyrën
Komisariati Nr.2 i Policisë së Tiranës i filloi hetimet për paraqitjen në spital të punonjësit të Shërbimit Informativ pas një njoftimi të marrë nga Spitali Ushtarak. Edhe pse nuk mbulon zonën e banimit të punonjësit të SHISH-it dhe as godinën e shërbimit sekret, duke qenë se njoftimi u mor nga Spitali Ushtarak, Komisariati Nr.2 nisi hetimet me dyshimin se ngjarja mund të kishte të bënte me detyrën e të lënduarit.

© Panorama.al

Te lidhura