Presidenti Bamir Topi dekoroi dje paradite shtatë artistë të skenës shqiptare. Me urdhrin “Nderi i Kombit” u dekoruan Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, ndërsa me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” kreu i Shtetit dekoroi Edi Luarasin, Roza Anagnostin, Liljana Teshon (Kabo), Llukan Bushin. Duke folur në këtë ceremoni, kreu i shtetit tha: “Nuk nderojmë thjesht një grup artistësh apo karriera personale; ne sot nderojmë një epokë kinematografie, një brez të jashtëzakonshëm artistësh që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në traditën dhe kujtesën tonë kulturore dhe shoqërore. Një jetë në skenë, një jetë përpara publikut, një jetë në mendjet dhe zemrat e miliona shikuesve duke demonstruar përherë e më shumë talent të rrallë dhe mjeshtëri artistike, humanizëm dhe përkushtim qytetar”. Sipas tij, “më shumë se dy breza janë lindur dhe rritur me ju, me interpretimin tuaj, ju njohin shpesh përmes personazheve dhe kanë bërë të tyret fjalët tuaja të interpretimit”.











