Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha sot se Moska duhet të heqë dorë nga “qëndrimi i saj tolerant” ndaj anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
“BE-ja nuk është më vetëm një bashkim ekonomik. Ajo mund të shndërrohet, dhe mjaft shpejt, në një aleancë ushtarake të plotë, hapur armiqësore ndaj Rusisë dhe në disa mënyra më të keqe se NATO “, tha Medvedev.
“Është koha të heqim dorë nga qëndrimi tolerant ndaj anëtarësimit të fqinjëve tanë në atë që tani është një Bashkim Evropian ushtarako-ekonomik”, shtoi ai.
Medvedev tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara do të largoheshin nga NATO, por Uashingtoni mund të bënte lëvizje simbolike, siç është ulja e numrit të trupave amerikane të vendosura në vendet e tjera anëtare të NATO-s.
Medvedev tha, megjithatë, se përçarjet e dukshme brenda NATO-s mund ta shtyjnë BE-në të bëhet më shumë sesa thjesht një bashkim ekonomik.
© Panorama.al












