Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar një marrëveshje të re të rëndësishme me Ukrainën për blerjen e 16 avionëve luftarakë “Rafale”, gjatë samitit për Ukrainën me pjesëmarrjen e 37 vendeve, që po zhvillohet në Paris.
Macron deklaroi se marrëveshja synon të forcojë kapacitetet e mbrojtjes ajrore dhe aviacionit ushtarak të Ukrainës, në një kohë kur Kievi vijon përballjen me Rusinë.
Krahas avionëve luftarakë, presidenti francez bëri të ditur se Ukraina ka rënë dakord gjithashtu të blejë sistemin franko-italian të mbrojtjes ajrore SAMP/T.
Sipas Macron, avionët francezë pritet të jenë operacionalë në hapësirën ajrore ukrainase deri në vitet 2028-2029. Ndërkohë, Franca do t’i japë Ukrainës edhe licenca prodhimi për një sërë kapacitetesh mbrojtëse, përfshirë raketat me rreze të gjatë veprimi SCALP.
Sistemi SAMP/T (Surface-to-Air Missile Platform/Terrain) është një sistem i avancuar evropian kundër raketave dhe mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë. Ai prodhohet nga konsorciumi Eurosam, i përbërë nga kompanitë “Thales” dhe “MBDA”.
Ky sistem është projektuar për mbrojtjen e trupave ushtarake dhe infrastrukturave kritike, ndërsa ka aftësi për të neutralizuar raketa balistike, avionë luftarakë dhe dronë.
© Panorama.al











