Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha, nderohet me “Çmimin për Paqen 2011” nga rajoni i Lombardisë në Itali. Në një ceremoni tradicionale të përvitshme, të organizuar nga presidenti i rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, “Çmimi për Paqen 2011” me vlerësimin special, i përzgjedhur dhe i nominuar nga Komisioni Special, i është dorëzuar konsulles sonë në Milano, Nausika Spahia. Arsyeja e nderimit të znj. Berisha me “Çmimin për Paqe 2011” bëhet në vlerësim të impenjimit të saj të vazhdueshëm humanitar, shkencor dhe social në drejtim të personave në nevojë, me një mbështetje të posaçme ndaj grave dhe fëmijëve të prekur nga probleme shëndetësore dhe në kushte të pafavorshme ekonomike. Çmimi për Paqen është një vlerësim vjetor i vendosur nga Këshilli Rajonal i Lombardisë, i cili prej vitit 1989 promovon kulturën e paqes dhe solidaritetit. Ai u jepet subjekteve, personave fizikë apo enteve publike dhe private, që me punën e tyre të jashtëzakonshme në fushën e humanizmit, kërkimeve shkencore dhe veprimtarive me natyrë sociale, kanë bërë të mundur promovimin e paqes dhe solidaritetit, duke nxitur iniciativa për bashkëpunim dhe zhvillim. Çmimi për Paqen përcaktohet nga një Komision special, i ngritur posaçërisht për vlerësimin e kandidaturave që referohen nga e gjithë bota. Ky komision përcakton mes shumë kandidaturave për nominim, tri vlerësime për “Çmimin e Paqes” dhe disa të tjera për “Vlerësime speciale” dhe “Vlerësime memorie” për njerëz që nuk jetojnë më. Më herët, këtë çmim, përveç institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, qendrave spitalore apo universiteteve të ndryshme si universiteti “Cattolica di Milano”, “Holy Family Hospital of Nazaret” dhe Argjipeshkvi i Bejrutit, e kanë marrë edhe personalitete të shquara botërore, si p.sh.: znj. Ung San Su Kyi, lider i rezistencës në Birmani. Rudolph W.Giuliani, kryebashkiaku i Neë York 1997, për impenjimin e tij të jashtëzakonshëm mbas atentateve të 11 shtatorit në New York. Këngëtarja e famshme NOA – e famshme jo vetëm për muzikën e saj, por edhe për impenjimin në miqësimin dhe afrimin e popujve në konflikt. Po kështu është nderuar senatorja e PDL, znj. Barbara Contini – eksperte në marrëdhëniet ndërkombëtare për negocimin e konflikteve. Drejtoresha rajonale e OSBE-së për Ballkanin, fituese e 30 çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për impenjimin e saj në Bosnjë-Hercegovinë, Irak, Darfur, Nigeri. Khaled Ksab Mahamed, avokat arabo–izraelit, themelues dhe drejtues i Institutit arab për studimet mbi holokaustin. Shkrimtarja libaneze, Joselyn Khoveiry, e famshme për librat e saj tek të cilët prek tema për afrimin dhe miqësimin e popujve në konflikt.











