Lamtumirë historianit Muin Çami

Dec 15, 2011 | 12:48

Dje iu dha lamtumira e fundit prof. dr. Muin Çamit, njëri ndër  veteranët më të shquar të historiografisë shqiptare. Prof. Muini lindi në Gjirokastër më 13.02.1923, ku edhe kreu ciklet e para  të arsimimit. Pas pauzës së krijuar nga Lufta e Dytë Botërore, gjatë të cilës u përfshi në Lëvizjen Antifashiste, në vitin 1955 u diplomua në Tiranë për Histori. Dy vjet më pas, ai do të  ndërpriste karrierën e nëpunësit dhe do të bëhej pjesë e kolektivit të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë për t’i kushtuar gjithë jetën, dijet, aftësitë, energjinë dhe  atdhetarizmin e spikatur, studimit të historisë sonë kombëtare në vitet e pavarësisë e konsolidimit dhe përpjekjeve për demokratizimin e shtetit shqiptar. Për rreth 55 vjet, edhe pasi  kishte dalë në pension, në vitin 1990, prof. Muin Çami, gjithnjë  me pasionin që te ai nuk njohu moshë, me seriozitetin dhe skrupulozitetin e admirueshëm, hulumtoi arkiva, konsultoi pa fund  bibliografi shkencore dhe realizoi studime të shumta e botime  dokumente që rrokin një hark kohor rreth 25-vjeçar. Disa monografi, dhjetëra e dhjetëra studime me bashkautorësi në vepra madhore, që njohën disa edicione, si Historia e Shqipërisë apo Historia e Popullit Shqiptar, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, pjesëmarrja në shumë konferenca e simpoziume shkencore etj. Për veprimtarinë e tij të shquar, prof. M.Çami është nderuar disa herë nga institucionet shtetërore e akademike me medalje e urdhra të ndryshëm, ndër të cilët me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit I (1989). Ndërkohë jashtë vendit, në vitin  1999, redaksia e botimit “Fjalori ndërkombëtar i bibliografive” (IBC) me qendër në Londër (Kembrisch), e ka përfshirë atë në listën e studiuesve të merituar. Vlerësimi nuk ka munguar edhe nga qyteti i lindjes, i cili më 2005-n e përfshiu prof. Muin Çamin në listën e qytetarëve të nderit.

© Panorama.al

Te lidhura