Kushtetuesja: ‘Kombësia’, jo në ligjin e gjendjes civile

Dec 5, 2011 | 16:34

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të termit “kombësi” në nenet e ligjit “Për gjendjen civile”. Vendimi, që është i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare është zbardhur sot ne faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Pasi ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga Gjykata e Sarandës, Përmetit dhe Shkodrës dhe pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Sokol Berberin, subjektet e interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, vendosi në favor të paditësve, duke u deklaruar pro shfuqizimit të termit “Kombësi”.

“Gjykata çmon se  rregullimet e ligjit për gjendjen civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, Gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi“kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për gjendjen civile, cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës”- thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Sipas vendimit, Gjykata arrin në konkluzionin se, dispozitat e ligjit për gjendjen civile, objekt i këtij kontrolli kushtetues, duke vendosur detyrimin për regjistrimin e të dhënave mbi ‘kombësinë’ në regjistrat e gjendjes civile, ndërhyjnë në sferën e jetës private të individit, në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës.

“Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e Gjykatës, shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mosdetyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale “sensitive”, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës”- thuhet në vendim.

Gjykata, sipas vendimit çmon se mbrojtja e të dhënave “sensitive”, si një nga komponentët e së drejtës për respektimin e jetës private, garantohet nëpërmjet shprehjes së lirë të vullnetit për të bërë publike ose jo këto lloj të dhënash, në përputhje me nenin 35 të Kushtetutës.

“Të dhënat që sigurojnë informacion për analiza demografike, të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe social apo për qëllime të politikave shtetërore për të nxitur ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor të pakicave etnike, mund të merren nëpërmjet procedurave të tjera përkatëse, në përputhje me garancitë ligjore që parandalojnë shpërdorimin e të dhënave të mbledhura, si dhe përcaktojnë saktësisht rregullat e veçanta të përpunimit”- theksohet në vendim.

Cfare kerkohej

Paditesit kane parashtruar se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8;  termi “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e” dhe neni 58  i ligjit për gjendjen civile, janë të papajtueshëm me nenet 16/1, 17, 19, 20 dhe 35 të Kushtetutës.

© Panorama.al

Te lidhura