Kryeministrja e Ukrainës, Julia Sviridenko, ka paraqitur dorëheqjen e saj në parlament, pas vendimit të presidentit Volodymyr Zelensky për ta shkarkuar nga detyra.
Lajmi u bë i ditur të hënën, më 13 korrik, nga kryetari i parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, i cili deklaroi se çështja do të shqyrtohet në përputhje me procedurën e përcaktuar.
“Parlamenti do ta shqyrtojë këtë çështje në të ardhmen e afërt, sipas procedurës së zakonshme”, shkroi Stefanchuk në platformën sociale “X”.
Procedura parlamentare për formimin e një qeverie të re pritet të nisë që të martën.
Deputetë ukrainas kanë bërë të ditur në rrjetet sociale disa nga emrat që po qarkullojnë si kandidatë të mundshëm për të zëvendësuar Sviridenkon. Mes tyre janë Sergei Koretsky, kreu i kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit “Naftogaz”, ministri i Energjisë Denis Shmyhal, i cili më herët ka shërbyer edhe si ministër i Mbrojtjes për gjashtë muaj, si dhe ministri aktual i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Deputetët ukrainas pritet të votojnë këtë javë për krijimin e qeverisë së re, pas vendimit të Zelenskyt për të larguar kryeministren e tij.
Presidenti ukrainas e ka justifikuar këtë lëvizje me nevojën për “ide të reja” dhe një qasje të re në drejtimin e vendit.
Megjithatë, kritikët kanë paralajmëruar se ndryshimet në qeveri mund të shkaktojnë paqartësi dhe tensione në një periudhë delikate për Ukrainën, ndërsa vendi vijon luftën me Rusinë.
© Panorama.al











