Konsensusi, miratohet rezoluta me PE

Dec 10, 2011 | 14:10
Gjate takimit te djeshem te Komitetit te Asocim-Stabilizimit

Pas tri dështimesh, Komiteti i Asocim-Stabilizimit ka arritur të miratojë me vullnetin e plotë të PD dhe PS një rezolutë të përbashkët për integrimin e Shqipërisë. Kjo marrëveshje vitet e shkuara ka dështuar për shkak të klimës së tensionuar politike dhe përplasjeve maxhorancë–opozitë që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Duket se marrëveshja e arritur mes demokratëve dhe socialistëve javë më parë i ka dhënë “frytet” e veta. Drafti përfundimtar përmban gjashtë pika, të cilat palët janë zotuar t’i përmbushin me përpikëri. Bashkëkryetarët e Komitetit të Asocim-Stabilizimit, Eduard Kukan dhe Fatos Beja, pas takimit të zhvilluar dje në mesditë, lajmëruan se palët kanë arritur dakordësinë për rezolutën e përbashkët. “Me anëtarët e Parlamentit ne kemi aprovuar deklaratën e përbashkët. Unë mendoj se është e rëndësishme, pasi kemi dështuar në tri takimet e mëparshme dhe përpjekja e katërt rezultoi e suksesshme. Më duhet të them që është një konfirmim i rëndësishëm i kësaj tendence pozitive në jetën politike në Shqipëri. Mendoj se tani duhet të vazhdohet me këtë ritëm”, deklaroi kreu i Delegacionit të PE, Eduard Kukan.
Prioritetet
Ndërkombëtarët kërkuan nga maxhoranca dhe opozita rezultate konkrete për përmbushjen e 12 kritereve të vendosura nga Komisioni Europian. Sipas eurodeputetit Kukan, Shqipëria ka vuajtur nga zgjedhjet jashtë standardeve, ndaj dhe një pikë e fortë e punës duhet të jetë “kopsitja” e ligjit zgjedhor para zgjedhjeve presidenciale. “Keni rekorde negative me zgjedhjet. Ka pasur shumë situata të komplikuara politikisht. Që këto konflikte me zgjedhjet të shmangen, ju duhet një ligj zgjedhor që të jetë i qartë dhe të mos implementohet dy ditë para nisjes së zgjedhjeve. Nuk mendoj se keni luksin te humbni kohë tjetër. Miratimi i Kodit Zgjedhor duhet bërë para zgjedhjeve presidenciale, afati është i qartë.”, pohoi Kukan. Klimën e përmirësuar politike e ka pohuar dhe bashkëkryetari Fatos Beja. Nga katër prioritetet e nisura nga klasa politike, sipas Delegacionit të Bashkimit Europian, shumë punë mbetet për të bërë. “Parlamenti i Shqipërisë nuk mund të miratojë legjislacionin europian pa një shumicë të cilësuar, sigurisht kjo kërkon pjesëmarrjen e të gjithë faktorit politik. Ju keni një plan veprimi për axhendën europiane. Në këtë aspekt kërkojmë që të implementohen më shumë reforma që kanë të bëjnë më çështjet ekonomike, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e sistemit gjyqësor, lirinë e medias”, pohoi Kukan.
Reformat ekonomike
Në rezolutën e miratuar, një pikë të veçantë zënë dhe reformat makroekonomike për të përballuar sfidat e krizës globale. Ashtu si në progres-raport, vlerësohet fakti se Shqipëria ruajti rritjen ekonomike në krahasim me vendet fqinje, por, në të njëjtën kohë, sipas draftit të miratuar, palët duhet të angazhohen për të plotësuar një disiplinë fiskale dhe reforma të qëndrueshme në ekonomi.

Rezoluta e miratuar nga PD-PS për integrimin
1. Komisioni shprehu shpresën se pas periudhës së situatës së vështirë politike në Shqipëri, të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjeve lokale të këtij viti, vendi mund të bëjë një progres të konsiderueshëm për përmbushjen e 12 rekomandimeve prioritare, në të cilat është bërë progres i kufizuar, siç është përshkruar me shqetësim në progres-raportin e vitit 2011 të Komisionit.
2. Megjithatë, shprehu kënaqësinë e tij lidhur me marrëveshjen e kohëve të fundit midis partive politike shqiptare për rifillimin e punës parlamentare si një hap i shumëpritur drejt normalizimit të klimës politike në Shqipëri dhe e pa këtë marrëveshje, të konfirmuar nga Parlamenti Shqiptar, si një përgjigje politike ndaj sfidave të mëdha të së ardhmes, siç është theksuar nga progres-raporti i Komisionit Europian; inkurajoi të gjithë aktorët e politikës për të bashkuar forcat për avancimin e mëtejshëm të reformave drejt BE-së, në një frymë pajtimi dhe pragmatizmi; theksoi se nëpërmjet konsolidimit dhe zbatimit pikë për pikë të marrëveshjes, të gjithë aktorët e politikës do të fitojnë besueshmëri.
3. Në veçanti mirëpriti zhvillimet në Parlamentin Shqiptar, ku ka filluar puna e përbashkët për reformën zgjedhore dhe rishikimi i rregullave procedurale, bashkë me adoptimin e një kalendari për aprovimin e ligjeve që kërkojnë një maxhorance me tre të pestat, i cili ka çuar në adoptimin e katër ligjeve të tilla.
4. Konsideroi se reforma sistemit gjyqësor dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakushte të rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE; theksoi rëndësinë e madhe të sistemit gjyqësor transparent, të paanshëm dhe të efektshëm, të pavarur nga çfarëdo presioni; përcaktoi progresin e kufizuar të bërë në këto fusha dhe bëri thirrje për reforma efektive.
5. Mirëpriti faktin se Shqipëria ruajti një rritje ekonomike me gjithë krizën globale ekonomike dhe, në të njëjtën kohë, theksoi rëndësinë e vendosjes së disiplinës fiskale dhe vazhdimit të reformave makroekonomike.
6. Pranoi se marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me fqinjët e saj përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në Europën Juglindore, gjë që ka rëndësi të veçantë për progresin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura